Kosova

KFOR: Çdo vendim rreth urës mbi Ibër të merret në kuadër të dialogu


Forcat e KFOR-it mbi urën e lumit Ibër. Foto: REL.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka kërkuar që çdo vendim që ka të bëjë me irën mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Këto komente, KFOR-i i ka bërë në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë”, dy ditë pasi që Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha se ura mbi lumin Ibër shumë shpejt mund të hapet për qarkullim të automjeteve.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, ka thënë nga KFOR.

Që kjo çështje të trajtohet në dialog kanë kërkuar të premten edhe nga Bashkimi Evropian.

“Hapja e urës është pjesë e dy marrëveshjeve. Por, përkundër përpjekjeve tona, kjo urë ka mbetur e mbyllur për trafik. Pasi kjo është pjesë e dialogut, gjithçka duhet të diskutohet dhe të vendoset në dialog me pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë zëdhënësi i Unioni, Peter Stano.

Ura e Ibrit riaktualizohet përsëri: Kosova thotë se kushtet për hapjen e saj janë plotësuar, BE-ja do negociata

Ndryshe, Ura mbi lumin Ibër ishte ndërtuar për të bashkuar qytetin e Mitrovicës, por ajo shpejt u bë simbol i ndarjes në baza etnike.

Ka pasur shumë përpjekje për hapjen e saj, por një gjë e tillë asnjëherë nuk ndodhi, madje atje qëndronin edhe trupat e KFOR-it, që ishin garant për sigurinë në atë pjesë problematike të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore