Kosova

Këshilltari i Shqiprim Arifit kërkon dorëheqjen e tij – për shkak të përplasjeve me Qeverinë e Kosovës


Shqiperim Arifi.

Këshilltari komunal në Preshevë, Argjend Sherifi, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit Shqiprim Arifi, që udhëheq këtë komunë kjo për shkak të përplasjeve që ka pasur ky i fundit me Qeverinë e Kosovës.

Sherifi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se nuk ka qëndrime politike të ngjashme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Por, që sipas tij kjo nuk i jep të drejt askujt që të ofendoj një kryeministër që udhëheq një shtet.

“Bindja ime politike ndoshta nuk është e njëjtë me z.Kurti, por kush më jep mua të drejtë, apo një kryetari të një komune si kjo e jona të kritikojë e të fyej vazhdimisht një kryeministër shteti?!”.

“Nëse kemi prirje vetëm për kritika, atëherë e kemi kryeministren e shtetit ku po jetojmë apo presidentin dhe kemi plotësisht të drejtë të japim ditë/natë kritika, sepse jemi komuniteti më i diskriminuar në Evropë ndoshta edhe më gjerë”, ka shkruar Sherifi.

Ndërsa ka shtuar se e ka këshilluarf disa herë Arifin për përplasjet që ka pasur me ekzekutivin e Kosovës.

“Që në fillet e para të zënkës me udhëheqës të Qeverisë së Republikës së Kosovës, por gjithmonë në vesh të shurdhër”.

Ai tutje ka thënë se nuk do e mbështes më kryetarin e komunës, Shqiprim Arifi.

“Sidoqoftë nuk do ta zgjas më shumë, jam i hapur gjithmonë kudo dhe me këdo të mbrojë arsyet e shëndosha për veprimin tim që po e ndërmarr. Me përgjegjësi të plotë morale dhe me bindje të plotë personale, deklaroj se unë nuk do ta mbështes më me votën time kryetarin aktual të komunës Shqiprim Arifin”.

Këshilltari i kësaj komune ka sqaruar se çdo pushtet lokal ka gabime, por që gabimet nga ana e kryetarit tani nuk janë duke u arsyetuar.

“E kam thënë edhe më herët publikisht se si pushtet lokal kemi gabuar dhe do të gabojmë në të ardhmen sepse askush nuk është i pagabueshëm. Por gabimet e të parit të subjektit tonë që është edhe i pari i komunës, nuk justifikohen më”.

Ai konsideron se të gjitha problemet aktualisht janë duke ardhur nga vetë udhëheqësi i kësaj komune.

“E gjithë kjo katrahurë politike për mua ka veç një emër, ai është Shqiprim Arifi. Një njëri të cilin ne të rinjtë ia dhamë mundësinë e artë që të bëhet udhëheqës i një komune, e ulëm në tryeza ku ndoshta nuk do të kishte patur mundësi të ulej asnjëherë në jetë, me ose pa vetëdije e keqpërdori këtë rast duke na kthyer me papërgjegjshmëri të skajshme”.

“Duke menduar se vetë i di të gjitha, duke menduar se ne këshilltaret jemi kukulla, duke i dhënë vetes të drejtë si kryetar komune të fyej burrështetas, edhe më e rënd në rastin tonë sepse bëhet fjalë për burrështetas që e flasin të njëjtën gjuhë”.

Ai tutje ka bërë të ditur se do të pezullojë pjesëmarrjen në seanca të Kuvendit Komunal (për të shkaktuar mungesë kuorumi) deri në dorëheqjen apo shkarkimin e Arifit nga pozita e kryetarit të komunës.

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi vazhdimisht ka kritikuar Qeverinë e Kosovës edhe për ndarjet buxhetore për komunat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore