Lajme

Këshilltari i Bislimit, Borrell’it e Lajçak’ut: Po refuzoni ta ndëshkoni Serbinë


Klisman Kadiu

Klisman Kadiu, këshilltari për media i zëvendëskryeministrit për Integrime Evropiane dhe Dialog, Besnik Bislimi, është shprehur se Bashkimi Evropian po heziton ta dënojë Serbinë kur po shihen haptazi shkeljet që ajo po i bënë marrëveshjes së Brukselit\Ohrit.

Kadiu në një postim në rrjetin social Facebook, tha se në Raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën, i miratuar para dy ditëve, në paragrafin 6a, bën thirrje për Serbinë që të heqë votën e saj bllokuese që ndalon Kosovën të jetë anëtare në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

“Pra qartazi, po thotë që Serbia po tenton të bllokojë anëtarësimin e Kosovës, shkelje e drejtpërdrejtë kjo e pikës 4 të marrëveshjes bazë të 27 shkurtit në Bruksel”.

Përkundër kësaj, zëdhënësi i Bislimit pohon se “zëdhënësi i BE-së, na thotë se ‘po mbajmë shënime’”.

“Pse po heziton BE-ja ta dënojë Serbinë kur ekzistojnë fakte të pakontestueshme? Pse Parlamenti Evropian po dënon Serbinë për shkelje të marrëveshjes, e Borrell, Lajçak po refuzojnë ta bëjnë këtë?”, pyeti në fund ai.

Ndryshe, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, të shtunën e 6 majit, prezantoi listën prej 8 nenesh që Serbia i ka shkelur në Marrëveshja Bazë për Normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe një nen të planit të zbatimit, i dakorduar në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Fillimisht prezantohen shkeljet që bëhen në preambulën e marrëveshjes ku thuhet se Serbia vazhdon që t’i mohojë krimet e luftës, dhe po ashtu kërcënon integritetin territorial të Kosovës, duke iu referuar këtu një konference për media të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili kishte thënë se katër komunat në Veri të Kosovës janë të “okupuara”.

Ndërkaq, në shkeljet që Serbia i ka bërë, që kryeministri Kurti i ka prezantuar në Bruksel para Vuçiç-it dhe ndërmjetësve nga Bashkimi Evropian, flitej edhe për bojkotimin e zgjedhjeve të 23 prillit në katër komunat në Veri të Kosovës, e ku e fajëson drejtpërdrejtë Beogradin zyrtar.

“Serbia kontrollon drejtpërsëdrejti partinë ‘Lista Serbe’ në Kosovë dhe qëndron prapa vendimit për të bojkotuar zgjedhjet më 23 prill në katër komunat veriore. Të shtyrë nga ambiciet politike, bojkotimi sjell dëm për demokracinë lokale”.

Shkelje tjetër aty përmendej edhe mënyra se si Serbia i referohet Kosovës, përkundër marrëveshjes së arritur.

“Serbia vazhdon t’i referohet Kosovës si ‘Kosovë i Metohija’ apo Prishtina. Kjo paraqet shkelje të drejtpërdrejtë në parimet se palët do të respektohen në marrëdhëniet e tyre inter se, duke përfshirë njohjen e emërtimeve siç përkufizohen në marrëveshjen bazë. Sjelljet e Serbisë minojnë seriozisht marrëdhënie të fqinjësisë së mirë mbi bazën e të drejtave të barabarta”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore