Lajme

Këshilli i Prindërve: Mësimi të fillojë më 27 shtator, shtyrja e pa arsyeshme


Ilustrim

Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës (KPKP) ka reaguar pas deklarimeve të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia i cili ka raportuar të mërkurën në Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se fillimi i procesit mësimor mund të shtyhet përsëri pasi që Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka vlerësuar ashtu dhe se pas fillimit mësimi nuk do të ndërpritet.

Sipas KPKP-së “kjo është edhe i befasishëm edhe në kundërshtim të plotë me Udhëzuesin e Ministrisë së Arsimit për vitin 2021-2022”.

Udhëzues parashikon katër skenarë të procesit mësimor e jo vetëm një, sikurse ka pretenduar z.Vitia thot KPKP në reagimin e tyre.

Këshilli i Prindërve konsideron se shtyrja e mundshme e mësimit me kaq lehtësi “po tingëllon edhe e paarsyeshme edhe e papërgjegjshme – sidomos kur nga e hëna u pritka hapja e restoranteve edhe në hapësirat e brendshme (!)”.

“Njëkohësisht këto veprime (parandaluese) janë krejt ndryshe me çfarë është thënë e bërë për më shumë se një muaj nga Ministria e Arsimit dhe drejtoritë komunale të arsimit, se përgatitjet janë bërë për të filluar procesi mësimor, por edhe me të gjitha masat e mëhershme të zhvillimit të procesit mësimor në kohë pandemie”.

Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës (KPKP)

KPKP konsideron se nëse vazhdohet me vendime të tilla jo serioze të shtyhet fillimi i procesit mësimor, si dhe të kushtëzohet fillimi i tij me skenarë të shpikur pa nevojë, KPKP do të shqyrtoj mundësinë e pezullimit të aktivitetit të këtij këshilli.

“Do të shqyrtojmë seriozisht opsionin që të pezullojmë angazhimin e prindërve nëpër shkollat e Prishtinës, si në Këshilla Drejtues ashtu edhe në Task Forcat e shkollave. Nuk përjashtohet edhe thirrja për bojkotim të mbledhjeve të prindërve nëpër klasa”, thuhet në njoftim.

Këshilli i Prindërve ka bërë thirrje institucioneve vendimmarrëse, që të jenë serioz e të përgjegjshëm për deklarimet e vendimet që marrin për procesin mësimor.

Ata kanë kërkuar që  procesi mësimor të filloj më 27 shtator “me një skenar të pranueshëm e të përshtatshëm. Shtyrja e mëtejme do të jetë absolutisht e papranueshme për ne”, përfundon njoftimi.

Ministri Vitia ka paralajmëruar para deputetëve të komisionit se nga dita e hënë e javës së ardhshme, të gjithë personat që do të hyjnë brenda hapësirave të lokaleve do të zbatojnë masat e reja kufizuese.

Sipas Vitisë, ata që frekuentojnë lokalet duhet të kenë me vete certifikatën e vaksinimit ose test PCR apo serologjik.

“Në masat që jemi duke hartuar tani edhe në gastronomi të aplikohet nga data 27 shtator të aplikohen masa kufizuese vetëm me certifikatë të vaksinimit, me test PCR dhe me test serologjik. Shoqata e Gastronomeve është treguar bashkëpunuese në këtë drejtim. Me këto shifra, një masë e tillë nuk është më pengesë as për sektorin e gastronomisë”, ka deklaruar Vitia.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë raprtimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore