Këshilli i Ministrave mbyll veprimtarinë e Kolegjit Universitar Wisdom

Këshilli i Ministrave - pas skandalit të shitjes së diplomave false - ka mbyllur veprimtarinë e Kolegjit Universitar Wisdom
SHFLETO
Sadiola Xhelili
25.09.2024 18:12
Loading Icons...

Këshilli i Ministrave mësohet se ka mbyllur veprimtarinë e Kolegjit Universitar Wisdom, pas skandalit të shitjes së diplomave false.

Referuar vendimit, Wisdom tanimë ka detyrimin:

a)Të mbyllë të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë akademike dhe kërkimore-shkencore, për vitin akademik 2023-2024, deri në përfundimin e tij, në të gjitha programet e studimit të ofruara;

b)Të përgatisë dosjen për çdo student që nuk ka përfunduar programin përkatës të studimit, me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit të lartë, që plotëson kriteret ligjore për transferimin e studimeve dhe t’ia vërë atë në dispozicion vetë studentit, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e tij, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;

c)Të kthejë pagesat e kryera nga çdo student për pjesën e papërfunduar të programeve përkatëse të studimit, për rastet kur pagesat janë kryer për cikël studimi, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj studentit;

ç)Të dorëzojë dokumentacionin ligjor, administrativ, financiar dhe akademik që disponon dhe mbi bazën e të cilit ka zhvilluar veprimtarinë e tij akademike dhe kërkimore-shkencore në strukturat përgjegjëse, në përputhje me kuadrin ligjor për arkivat, brenda 2 (dy) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi;

d)Të vendosë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave, të parashikuara në këtë vendim.

dh) Të vendosë në dispozicion personel akademik dhe administrativ të nevojshëm deri në përfundimin e procesit për mbylljen e tij, sipas afateve të përcaktuara në këtë vendim.

Ndërkohë, vula e kolegjit universitar Wisdom asgjësohet sipas procedurave të parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi.

“Të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për mbylljen e kolegjit universitar Wisdom, në zbatim të këtij vendimi, përballohen nga ana e institucionit jopublik të arsimit të lartë/personit juridik që e përfaqëson”, vijon vendimi.

Institucionet e arsimit të lartë pranojnë deri në datën 20.11.2024 aplikimet për transferimin e studentëve të kolegjit universitar Wisdom, për vitin akademik 2024-2025, në programe të njëjta apo të ngjashme studimi, kur plotësojnë kriteret ligjore.

Sipas vendimit, ngarkohet për zbatimin e këtij vendimi Ministria e Arsimit dhe Sportit, Qendra Kombëtare e Biznesit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Qendra e Shërbimeve Arsimore, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe kolegji Universitar Wisdom.

Vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.