Lajme

KESCO paralajmëron: Çmimi i rrymës në berzën hungareze ka arritur vlerën 700 euro për megavatë orë


Ilustrim

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike, të martën e tetë marsit ka bërë të ditur se çmimi për një megavate orë në berzën hungareze (HUPX) – që është referente edhe për importin e energjisë elektrike në Kosovë – ka arritur vlerën rekord prej 700 euro për megavate orë.

Kompani në fjalë ka bërë të ditur se kursimi i energjisë elektrike tashmë në këtë kohë është e domosdoshme.

“Në kohë të tilla, kursimi i energjisë elektrike nga konsumatorët konsiderohet veprim patriotik, sepse kësisoj kontribuohet në të mirën e përgjithshme”, thuhet në njoftimin e KESCO.

Tregu i energjisë elektrike sipas KESCO vazhdon të sfidohet me çmime enorme si rezultat i situatës së krijuar në Ukrainë.

“Kriza në Ukrainë e ka rënduar edhe më tej krizën e rënduar të energjisë elektrike në Evropë. Me rënien e temperaturave, Kosova pashmangshëm është duke u detyruar të importojë energji elektrike për të mbuluar hendekun e konsumit, që nuk po arrin të mbulohet nga kapacitetet prodhuese vendore”.

Ndryshe një ditë më parë KESCO, kishte njoftuar se gjatë muajit shkurt, para invazionit rus në Ukrainë, çmimi i energjisë elektrike ka qenë rreth 250 euro për megavat, ndërkaq çmimi mesatar gjatë muajit mars ka arritur shifrën prej 500 euro për megavate orë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore