Lajme

Kërkohet që Arbër Sejdiut t’i rritet dënimi në 25 vjet apo burgim të përjetshëm


Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu në seancën gjyqësore.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gazmend Rexhepi, para gazetarëve ka deklaruar se kanë kërkuar që të akuzuarit Arbër Sejdiut t’i rritet dënimi në 25 vjet burgim ose në burgim të përjetshëm.

Pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Apelit, ai tha se kanë shfaqur pakënaqësi për dënimin e Sejdiut me 15 vjet burgim nga shkalla e parë.

“Është njëfarë dallimi shumë i madh mes të akuzuarit të parë dhe të akuzuarit të dytë prej burgim të përjetshëm në 15 vite, përkundër që ajo dispozitë thotë që kushdo që i ofron ndihmë dikujt tjetër dënohet më butë, mirëpo konsideroj që 15 vite është pak edhe nuk ndikon në edukimin e shoqërisë që vepra të tilla mos të përsëriten”, ka thënë ai.

Ndërsa, ka potencuar se edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka paraqitur ankesë duke kërkuar që të ndryshohet aktgjykimi dhe ricilësimi i kualifikimit.

Kurse, theksoi se Prokuroria e Apelit ka dhënë mendimet lidhur me ankesat e palëve.

Sipas Rexhepit, avokatët e të akuzuarve i kanë shfaqur pretendimet e tyre, duke kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim.

Ndërsa shtoi se, “video-incizimet nuk janë bërë publike me kërkesë të familjes dhe se janë më të tmerrshme sesa përshkrimi që i është bërë ngjarjes në tekst”.

Në seancë të mbyllur për publikun kanë dëshmuar Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët janë të dënuar nga shkalla e parë për vrasjen e Marigona Osmanit.

Sipas gjyqtarit, Xhevdet Abazi, për shkak të veprës penale “Dhunim”, kjo seancë duhet të mbyllet për publikun, ndërsa mediat janë lejuar vetëm të marrin pamje.

Më 4 gusht të 2023-ës, Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit.

Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim.

Kurse, Arbër Sejdiu është dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje.

Seanca ndaj Krivaqës dhe Sejdiut mbyllet për publikun

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore