Lajme

Kërkohet hetim nga institucionet për rastin e vdekjes së 4 vjeçares, dyshohet se erdhi nga neglizhenca mjekësore


QKUK.

Pas vdekjes së një 4 vjeçare më 19 shkurt për të cilën nga Policia e Kosovës, ishte thënë se ka pasur gjendje të rënduar shëndetësore, ndërsa rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka bërë thirrje për hetim të veprime të menjëhershme për rastin e vdekjes së një vajze.

Përmes një komunikate për media nga KOMF, është thënë se e njëjta dyshohet se ka pranuar sulm nga fëmijë të tjerë duke e goditur në pjesën e shpinës dhe gjoksit.

“Sipas raportimeve dhe dyshimeve të ngritura nga prindërit e vajzës, të cilat janë transmetuar në media, e ndjera dyshohet se ka pësuar një sulm nga dy fëmijë të tjerë, duke u goditur me forcë në pjesën e shpinës dhe gjoksit, gjë që ka çuar edhe në rrëzimin e saj në rrugë. Megjithë gjendjen e rënduar të fëmijës, prindërit janë shprehur se përgjigja mjekësore ndaj gjendjes së saj ka qenë e pamjaftueshme”.

“Ata pretendojnë se gjatë ditës së djeshme kanë kërkuar disa herë ndihmë mjekësore për vajzën e tyre, por kanë marrë vetëm disa këshilla sipërfaqësore nga ekipi mjekësor, duke nënvlerësuar tragjikisht ashpërsinë e gjendjes së saj”.

Nga KOMF-i, është pohuar, se bazuar nga informacionet që kanë marrë nga prindërit vajza s’ka marrë ekzaminim të plotë mjekësor.

“Sipas prindërve, vajza nuk ka marrë një ekzaminim të plotë mjekësor dhe trajtimi i duhur i saj është neglizhuar duke shkaktuar fatalitet, gjë që ngre shqetësim dhe pikëpyetje të thella në lidhje me etikën profesionale të personelit mjekësor”, thuhet në komunikatë.

Kjo organizatë ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të trajtojnë me prioritet rastin.

“Kërkojmë zbatimin e plotë të legjislacionit në fuqi dhe ndërmarrjen e të gjitha masave sipas rezultateve të hetimit, për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen”.

“KOMF do të vazhdojë të ndjekë nga afër procedimin më tej të këtij rasti nga ana e institucioneve dhe do të vazhdojë të kërkojë llogaridhënie prej tyre”.

Një kërkesë të ngjashme ndaj institucioneve e kanë bërë edhe 7 organizata joqeveritare duke thënë se dyshohet se vdekja e vajzës 4 vjeçare ka rrjedhur si rezultat i neglizhencës mjekësore.

“Jemi thellësisht të tronditur dhe të shqetësuar nga ngjarja tragjike e fundit në Gjakovë, ku një vajzë e re 4 vjeçare humbi jetën në rrethana që sugjerojnë një neglizhencë të rëndë mjekësore dhe diskriminim të mund- shëm”.

“Ky ngjarje e rëndë nuk ka lënë vetëm një familje në dhimbje të papërballueshme, por ka ngritur edhe shqetësime serioze në lidhje me standardet e praktikës mjekësore dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në shoqërinë tonë”.

Kërkesa e organizatave joqeveritare.

Sipas tyre, kjo ngjarje tregon për nevojat urgjente që duhet të bëhen në sistemin shëndetësor.

“Ne bëjmë thirrje te autoritetet lokale dhe kombëtare të marrin masa të menjëhershme për të hetuar plotësisht këtë çështje. Është e rëndësishme që ky hetim të kryhet në mënyrë transparente, duke mbajtur përgjegjëse çdo palë që konstatohet të ketë qenë neglizhente për veprimet e tyre”.

“Gjithashtu, kjo ngjarje duhet të shërbejë si një katalizator për ndryshime sistematike në sistemin tonë të kujdesit shëndetësor dhe shoqëror për të siguruar që çdo fëmijë të marrë kujdesin dhe mbrojtjen që i takon”.

Reagimi është bërë nga Human Rights Netëork, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës (HANDIKOS), Qendra për Barazi dhe Liri – (CEL Kosova), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE) Iniciativa e Re Sociale (NSI).

Për rastin përgjegjësi nga institucionet ka kërkuar edhe Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore