Kosova

Kërkohet angazhimi i Qeverisë për t’u dorëzuar trupi i Faton Hajrizit në Kosovë


Faton Hajrizi.

Faton Hajrizi fillimisht u arratis nga një burg i tipit të hapur në Kosovë më 6 korrik e pastaj u bë i dyshuari kryesor për vrasjen e një polici në Serbi duke e lënë të lënduar edhe një tjetër.

Ndonëse ishte arratisur edhe në të kaluarën, 13 ditët e lirisë së Hajrizit kësaj radhe dërguan në tjetër përfundim – duke mbetur i vrarë nga Policia e Serbisë.

Ajo çfarë mbetet tashmë është që trupi i tij të i dorëzohet familjarëve – por që akoma s’ka përgjigje nga shteti i Serbisë për këtë çështje.

Për njohësit e çështjeve të drejtësisë në Kosovë, ky proces do të jetë mjaft sfidues.

“Sipas procedurave përkatëse standarde, pas identifikimit të trupit të pajetë, përmes bashkëpunimit policor të vendeve respektive do të mund të realizohej procesi i kthimit dhe dorëzimit tek familja”, sqaron avokati Ardian Bajraktari përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

Ndonëse i njëjti s’është proces i ndërlikuar dhe mundësohet përmes rregullores, Serbia s’pritet të shpreh as gatishmëri e as vullnet për bashkëpunim.

“Siç dihet shteti i Serbisë, s’ka as gatishmëri e as vullnet për bashkëpunim. Për këtë arsyeje dhe për rrethanat që janë krijuar forma e komunikimit realizohet me ndërmjetësimin e mekanizmave ndërkombëtar, përkatësisht UNMIK-ut dhe rrjedhimit një proces i tillë mund të marrë kohë”, thotë ai.

Avokati Ardian Bajraktari.

Ndërkaq, avokati Xhevdat Smakiqi thotë se ministri i Punëve të Brendshme duhet ta bëjë kërkesën për dorëzimin e trupit të Hajrizit duke u thirrur në ligj.

“Detyrimi kryesor tash i mbetet ministrit të Punëve të Brendshme që në zbatim të Ligjit për Shtetësinë dhe Gjendjen Civile, të kërkoj zyrtarisht nga Serbia MPB-ja e saj që pas obduksionit kufoma e shtetasit të Kosovës, Faton Hajrizi, të i dorëzohet organeve shtetërore të Kosovës, e pastaj familjes Hajrizi”.

“Qeveria, pavarësisht dështimit që pati që ta arrestoj pas arratisjes shtetasin e vet, e ka detyrim ligjor që të ia mundësoj familjes Hajrizi transferimin e trupit të birit të tyre”, ka thënë Smakiqi në një bisedë për Albanian Post.

Ai ka theksuar se rasti i Hajrizit, është i pari që nga pas lufta i kësaj natyre.

“Deri më sot s’kemi pasur një rast të tillë në vitet e pas luftës dhe pas pavarësisë ky është rasti i parë dhe shteti i Kosovës duhet t’i përmbush përgjegjësitë ligjore pas të gjitha dështimeve për risocializim”.

Avokati Xhevdet Smakiqi.

Si u vra Faton Hajrizi nga policia e Serbisë?

Më 19 korrik, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se është likuiduar personi që vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër të enjten në Loznicë – kufiri mes Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës – që dyshohet të jetë Faton Hajrizi.

“Pjesëtarët e policisë vranë vrasësin e një polici në afërsi të Loznicës”, tha Daçiç.

Në vendin e ngjarjes, siç raportojnë mediat serbe, kishte dalë edhe vet Daçiç.

Daçiç u tha gazetarëve se Fatoni qëlloi gjithsej nëntë plumba në drejtim të policisë serbe kur e gjetën, pas së cilëve ai u vra.

“Ai është raportuar nga një banor i fshatit Trbusnice kur i ka kërkuar ujë”, potencoi Daçiç dhe shtoi se në këtë zonë ndodheshin rreth 400 policë që po e kërkonin.

Ndërsa, gazeta serbe “Blic”, ka shkruar, duke u thirrur në burime të saja, se Faton Hajrizi ka tentuar që të kalojë lumin Drina dhe të arratiset në Bosnje e Hercegovinë, por nuk ia ka dalë.

Sipas kësaj gazete, Hajrizi është fshehur në një kompleks të braktisur fabrike, në të cilin thotë se prej vitesh fshihen emigrantët në pritjeje të një “lidhjeje” “për të ikur përtej Drinës.

Foto nga mediat serbe.

Lajmi për vrasjen e Faton Hajrizi, erdhi pak orë pasi që MPB-ja serbe e shpalli Hajrizin zyrtarisht në kërkim.

Disa javë pas arratisjes spektakolare – të nëntën me radhë – nga burgu i Smrekonicës të Vushtrrisë, Faton Hajrizi, u bë të enjten personi më i përfolur në rajon.

Në orët e para të së enjtes (00:55), në Lozincë të Serbisë – kufiri mes Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës – Hajrizi dyshohet se ka vrarë një polic serb dhe ka plagosur një tjetër.

Vrasja ka ndodhur kur zyrtarët policorë serbë kanë qenë duke kontrolluar veturat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, pasi e kanë ndaluar një veturë të tipit Mercedes, ku dyshohet se ka qenë Hajrizi.

Siç raportohet për ngjarjen, njëri prej personave, që dyshohet të jetë Hajrizi, ka shtënë me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviç në gjoks dhe zyrtarin policor Iliç Vjekosllav në shpatull dhe më pas ka ikur.

Më pas, të dy zyrtarët policorë janë transportuar në Spitalin e Lozninës, derisa Kërsmanoviç ka vdekur si pasojë e plagëve të marra.

Pas kësaj ngjarje, forca të shumta policie u panë nëpër rrugët e Loznicës dhe në një perimetër më të gjerë në kërkim të të dyshuarit për vrasjen e policit serb.

Për çka u dënua Hajrizi?

Hajrizi u dënua fillimisht për vrasjen e një ushtari rus kur ishte 15 vjeç, dhe gjithashtu për disa vepra të tjera penale.

Ai u dënua për një rast të tentim-vrasje, tri raste të vjedhjeve kryesisht të pjesëve të veturave dhe dy raste të keqpërdorimit të veturave (shfrytëzim pa leje të tyre).

Më 24 janar të 2008-së, vendimi i dytë gjyqësorë për Faton Hajrizin ishte marrë nga Gjykata e atëhershme e Qakut në Mitrovicë.

Ai u dënua për dy vepra të grabitjes së armatosur që sipas gjykatës i bëri në bashkëpunim me dikë tjetër në vitin 2006 në Skenderaj.

Faton Hajrizi, gjatë kohës kur ishte në burg.

Ndërsa në vitin 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Hajrizin për vrasjen në tentativë.

Më 19 korrik, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka kërkuar nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi që të konfirmohet identiteti i personit të vrarë –  pas raportimeve që personi që dyshohet se është vrarë nga Policia e Serbisë është Faton Hajrizi.

Ndërsa, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka deklaruar se Faton Hajrizi për Kosovën është “kriminel”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore