Kërkesa e prindërve: S’ka shkollë me shifra kaq të larta infektimi

SHFLETO

Ilustrim

 

Nora Krasniqi
27.08.2021 16:44
Loading Icons...

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Komunës së Prishtinës, Jeton Demi ka deklaruar se kthimi në shkolla me prezencë fizike me një shtatorë paraqet rrezikshmëri shumë të lartë, duke u bazuar në shifrat e fundit të të infektuarve.

Demi ka thënë se këtë kërkesë e kanë adresuar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), duke u bazuar në mendimet e prindërve.

“Ne kemi bërë deklarim dhe publik, duke kërkuar që të mos kthehemi në shkolla më një shtator me prezencë të plotë fizike sepse shkalla e rrezikut është shumë e lartë, bazuar në shifrat aktuale të të infektimeve ashtu edhe vdekjeve ditore, duke shtuar edhe rastet e infeksioneve të fëmijëve, që më parë nuk i kishim”, ka shkruar Demi për Albanian Post.

Ai thotë se edhe nëse ndodh hapja e shkollave në një kohë ku infektimi është shumë i lartë, në Komunën e Prishtinës shkollat do të duhet të mbyllen.

“Rreziku është shumë i lartë dhe besojmë se edhe nëse ndodh hapja, brenda javës shumica e shkollave të Prishtinës do të duhet të mbyllen për shkak të infektimeve”

Po ashtu Demi ka theksuar se bazuar në rrethanat aktuale dhe në përvojat e shkuara, nuk kanë vlerësuar se mundet dhe duhet që kthimi në shkolla të ndodh sikur të jemi në normalitet të plotë.

“Duke u bazuar në përvojën një vjeçare të vendimeve nëpër task forca të shkollave të Kryeqytetit, kur kemi bërë lëvizje nëpër skenarë, mbyllje të plotë shkollash për dy javë, në koordinim me Institutin, për shkak të pak rasteve të infektimeve”, ka thënë Demi për AP.

Ai tutje është shprehur se është përgjegjësi shumë e madhe që të injorohen shifrat dhe për të filluar më 1 shtator me skenarin ku krijohet përshtypja e normalitetit të plotë.

Ndërkaq, Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Republikën e Kosovës, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se e ka nënshkruar Udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2021/2022 dhe mësimi pritet të fillojë që nga dita e parë e muajit shtator të këtij viti.

“Ashtu siç kemi paralajmëruar, mësimi pritet të fillojë më 1 shtator. Ne synojmë të mbajmë shkollat të hapura dhe mësimi të zhvillohet me orar të rregullt e pjesëmarrje fizike në institucione shkollore”, ka shkuar Nagavci.

Mes tjerash, sipas saj, bazuar në disa studime, mbyllja e shkollave ka ndikuar negativisht tek fëmijët dhe mësimdhënësit.

Gjithashtu, Ministrja e MASHT-it, është zotuar se i gjithë procesi i zhvillimit të mësimit në mënyrë fizike do të realizohet në përputhje me rekomandimet dhe rregullat kundër pandemisë me COVID-19.