Shqipëria

(Keq)menaxhimi i gripit të shpendëve


Ministria e Bujqësisë në Shqipëri, më 20 mars do t’u jepte fund dyshimeve për të cilët flitej prej disa ditësh, duke konfirmuar rastin e parë të gripit të shpendëve në qytetin e Durrësit.

Në krye të tri ditëve, 17 mars-20 mars, Ministria doli me njoftime të ndryshme.

Më 17 mars, në vijim të lajmit të një dite më parë se 200 mijë shpend kishin ngordhur në dy pulari në Durrës, nga kjo ministri u njoftua se ishin marrë masat për shqyrtimin e situatës në vend, duke përgënjeshtruar lajmin se ekzistonte një grip i tillë.

“Sipas të dhënave të deritanishme, bëhet fjalë për sëmundjen e Laringotrakeitit, infektiv te shpendët”, shkruante në njoftimin e saj Ministria.

Pastaj, të dielën, kjo Ministri e konfirmoi rastin e parë të gripit të shpendëve (H5N8) në qytetin e Durrësit.

Sipas ish-sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Vojo Bregu, “grip shpendësh ka pasur dhe më parë në Shqipëri. Ashtu siç do të ketë dhe në të ardhmen”.

Shqetësuese, thotë fillimisht Bregu për Albanian Post, “është mënyra e menaxhimit të situatës, si dhe komunikimi me publikun”.

Sipas ish-zyrtarit të Ministrisë së Bujqësisë, ka ardhur koha që Ministria të dalë në terren dhe të kontrollojë situatën, “jo me letra dhe urdhra, por realisht, pasi situata nuk ka qenë ndonjëherë më e rëndë”.

Nga ana tjetër, në një deklaratë për mediat, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të dërguara nga redaksia e Albanian Post, zëvendësministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeçi, tha se grupet e monitorimit dhe të kontrollit janë në terren për të parandaluar përhapjen e infeksionit.

“Vijon monitorimi i terrenit në të gjithë Shqipërinë si në pikat e inspektimit kufitar, në bazë të planit të kontigjencës, ashtu edhe në përmbushje të mobilizimit për monitorim dhe kontroll për garantimin e sigurisë ushqimore për produktet e nxjera në treg”.

Ministria e Bujqësisë duhet të tregojë transparencë

Të tre specialistët, si Vojo Bregu, ish-pedagogu Prof.Dr. Kristaq Berxholi dhe përfaqësuesi i Shoqatës për Konsumatorit dhe Prodhuesit Vendor, Ervin Resuli, kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë vendndodhjen e groposjes së pulave të ngordhura nga kjo sëmundje.

Resuli shkon deri aty sa thotë që Ministria, këtë informacion duhet “ta shoqërojë për mediat me foto të momentit të groposjes, si dhe procesverbalet përkatëse konform legjislacionit përkatës”.

Në përgjigje të kërkesave të specialistëve dhe të mediave, Ministria e Bujqësisë ka bërë publike videot e groposjes së disa qindra mijëra pulave të ngordhura së bashku me të dhënat përkatëse.

“Deri tani kanë ngordhur rreth 340 mijë shpendë. Procesi i groposjes vazhdon me ritme të shpejta brenda rregullave dhe konform legjislacionit në fuqi. Procesi është dinamik dhe lëviz në varësi të rasteve të reja”, tha Gjeçi.

“Gjithashtu, ka nisur procesi i asgjësimit edhe i 120 mijë shpendëve të cilët ndodhen në të njëjtat kapanone dhe bateri për të shmangur çdo rrezik të mundshëm duke ndjekur planin e kontigjencës”.

Specialistët gjithashtu kërkuan që të bëhej publike nëse janë sekuestruar vezët e pulave të ngordhura, çfarë do ndodhte në zonat e kontaminuara dhe nëse janë ruajtur mostrat e pretenduara për laringotrakeit në bankën e mostrave në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë  (ISUV), për t’u rianalizuar në një laborator të referencës në BE.

Zëvendësministrja Gjeçi siguroi se aktualisht, stafi i Ministrisë së Bujqësisë po kryen procedurat e shuarjes së vatrës së infeksioneve dhe tamponimin e zonës sipas niveleve të rrezes.

Gjithashtu, shton zyrtarja e Ministrisë, po komunikohet risku për fermerët dhe veterinerët e zonës, dhe është siguruar baza materiale e ajo mbrojtëse për veterinerët.

Zëvendësministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeçi
Zëvendësministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeçi
A duhet të kemi frikë?

Duhet të kemi “shumë kujdes dhe aspak panik”, thotë Bërxholi.

Sipas tij, kryesisht personat që merren me shpendët, duhet të tregohen vigjilentë dhe të njoftojnë autoritetet nëse vënë re raste shpendësh të sëmurë.

Gjithashtu, shton profesori, prindërit duhet të kenë kujdes të mos i lënë fëmijët të luajnë me shpendët, pasi ata kanë imunitet më të ulët dhe janë më të rrezikuarit.

“Fëmijët duhet të mos i lejojmë të luajnë as me rosat, as me patat dhe as me gjelat e detit”.

Bërxholi bën thirrje që “të mos ketë panik”, por shërbimi veterinar në të gjithë vendin “të jetë i angazhuar në nivelin maksimal”.

Nga ana tjetër, Autoritetet sugjerojnë që mishi i pulës të gatuhet në temperatura mbi 70°C dhe vezët po ashtu të jenë të mirëgatuara.

Gatimi i plotë i mishit dhe vezëve siguron pamundësinë e virusit për prani në produkte të papërpunuara që hyjnë në zinxhirin ushqimor.

“Nuk duhet të mbahet bashkë mish i pagatuar, me gjellën e bërë gati. Edhe për vezët ka një hezitim. Duhet të kemi parasysh se edhe nëse virusi kalon te vezët nuk përbëjnë rrezik. Ato duhet të zihen mirë”, sugjeron Bërxholi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore