Lajme

KEK-u konfirmon raportimin e AP-së për rënien e bllokut A5 – Bucolli: Presim të kthehemi shpejt në operim


KEK-u

Zëdhënësi për media i Korporatës Energjetike të Kosovës, Skënder Bucolli, ka konfirmuar raportimin e Albanian Post se aktualisht nuk është në funksion blloku A5 i Termocentralit Kosova A, por ai ka thënë përmes një përgjigje me shkrim se ishin në fazë testuese dhe presin që të kthehen shpejt në funksion.

“Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar të gjitha vërejtjet të cilat jemi në fazën e eliminimit dhe njësia pritet të kthehet në operim së shpejti”, tha Bucolli për AP-në.

“Për më tepër, pas remonteve kapitale janë të planifikuara-nevojshme ndaljet për eliminimin e vërejtjeve për operim të sigurt të njësisë përkatëse”, shtoi ai.

Çka ndodhi?

Lajmi që ishte prezantuar me pompozitet nga Qeveria e Kosovës se më në fund është kthyer në funksion blloku A5 i Kosovës A, po del të jetë vetëm një marketing për t’iu shpëtuar kritikave.

Fillimisht burime të Albanian Post brenda Korporatës Energjetike të Kosovës kanë bërë me dije se blloku punoi vetëm pak ditë dhe tash prapë është jashtë funksionit.

Ishte Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila me 7 maj shkroi në Facebook se “dhuratë më të mirë” se lajmi që njësia A5 e Kosovës A në KEK është rikthyer në funksion, nuk ka marrë për ditëlindje, por burimet e AP-së tregojnë se blloku sërish është jashtë funksioni.

“A5 ka rrjedhje të kaldajës dhe ka dalë nga sistemi”, tregon burimi brenda KEK-ut.

Madje prishja ka ndodhur pikërisht në vendin ku do të duhej të bëhej remonti/riparimi, i cili nuk u bë asnjëherë, për shkak të dallavereve që ndodhën në Korporatën Energjetike të Kosovës, për çka edhe është arrestuar kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi.

“Aty ku ka pas të bëhet ai remonti i cili ka dështuar”, aty edhe ka ndodhur rrjedhja tha burimi në kushte anonimiteti.

Ai tregoi se punëtorët e KEK-ut vetë kanë bërë të pamundurën për ta rregulluar, por “ajo pa pajisje nuk mund të bëhet, është e pamundshme”.

“Ka pas rrjedhje në kaldajë, tash po mundohen ta evitojnë rrjedhjen dhe ta rikthejnë në funksion sa më shpejt që është e mundshme. Ende është duke u punuar në të, që të evitohet rrjedhja”, vazhdon më tej burimi.

Blloku A5 para shumë muajsh do të duhej të dërgohej në riparim, në mënyrë që të rikthehej më pas në punë pa prishje. Por, qëllimshëm ishte anuluar projekti për Riparimin Kapital të kaldajës së bllokut A5.

Një muaj paraburgim për Kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

  • kek

  • Lajmet kryesore