Kosova

KDI: Qeveria ka zhvlerësuar pozitën e gjyqësorit – zbriti pagat rreth 25%


Instituti Demokratik i Kosoves.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), pas prezantimit të vlerës së koeficientit të Qeverisë së Kosovës prej 105 euro ka thënë se kjo vlerë nuk përkon me pritshmëritë dhe kërkesat e punëtorëve të sektorit publik.

Përmes një komunikate për media nga KDI-ja është vlerësuar se me këtë vlerë të koeficientit Qeveria cenon pavarësinë e sistemit gjyqësor.

“Për më tepër e metë kryesore e këtij ligji mbetet çështja e ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë. Kjo vlerë e koeficientit e zhvlerëson pozitën e gjyqtarit dhe prokurorit duke ua ulur pagat për rreth 25%. Kështu një Gjyqtar i Gjykatës Themelore do të paguhet 1200 euro, ndërkohë që paga e tij/saj bazë ishte 1600 euro në muaj”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Nga KDI-ja, është theksuar se ulja e pagave në sektorin e drejtësisë është kundërkushtetuese.

“Ulja e pagave aktuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që nga Qeveria po arsyetohet si arritje e “barazisë” së pagave në sektorin publik është kundër kushtetuese dhe në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, rasti nr. KO 219/19”.

“Ulja e pagave është me kundërshtim edhe me Ligjin për Gjykatat, i cili qartazi përcaktohen se pagat e gjyqtarëve nuk mund të zvogëlohen gjatë mandatit për të cilin ata janë emëruar, përveç në rastet kur vendosen sanksione disiplinore nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës”.

KDI-ja ka sqaruar se shfuqizimi i këtyre dispozitave duhet patjetër t’i paraprijë një arsyetim nga Qeveria e cila thuhet se duhet të jetë nën frymën e “parashikushmerisë” dhe “sigurisë juridike”.

“Çështja e uljes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është kritikuar edhe nga ana e ekspertëve të Komisionit Evropian dhe Zyrës së BE në Kosovë. Ata kanë konsideruar që ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve me ligjin e ri, sidomos në një shumë kaq të konsiderueshme është shumë shqetësuese dhe rrezikon të cenojë parimin e pavarësisë së gjyqësorit”.

Të njëjtit kanë përmendur edhe rregullat mbi të cilat funksionin Komisioni i Venecias.

“Edhe praktikat gjyqësore të shteteve të tjera evropiane si dhe Komisioni i Venecias kanë theksuar faktin se paga e gjyqtarit individual mund të ulet vetëm si pasojë e një krize të evidentuar ekonomike që do të përbënte rrethanë të jashtëzakonshme për shtetin, e në kontekstin aktual nuk kemi ndonjë krizë ose gjendje të jashtëzakonshme ekonomike të shpallur nga Qeveria. Përkundrazi, Kosova këtë vit ka miratuar buxhetin më të madh ndonjëherë, në vlerën prej rreth 3,2 miliardë euro”, thuhet në reagim.

Sipas KDI-së një ulje e tillë e pagave për sistemin e drejtësisë cenon “parimin e ndarjes të pushteteve dhe është ndërhyrje direkte në pavarësinë e pushtetit gjyqësor”.

Jo më shumë, as aq sa ishte, as më pak, por shumë më pak u përcaktua vlera – vetëm 105 euro.

Përkundër se veç këtë të mërkurë u mor vesh koeficienti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me 4 janar e kishte dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Me ligjin e ri, niveli i koeficienteve do të sillet nga 2 deri në 18 dhe do të afektojë rreth 83 mijë punëtorë të sektorit publik.

Më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit, ndërsa më i ulëti u takon pozitave si; rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.

Paga e një punëtori do të llogaritet duke e shumëzuar nivelin e koeficientit të pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore