Në një raport kushtuar ngërçit në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), qeveria e Kosovës udhëzohet ta dërgojë draftstatutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese, kurse qeveria e Serbisë ta arrestojë kryebanditin serb, Millan Radoiçiç, për terrorizmin e vitit të kaluar.
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (KCSS), në raportin e fundit rreth rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet Prishtinë-Beograd, konsideron se për të kapërcyer ngërçin aktual, palët duhet të veprojnë me mirëbesim në procesin e normalizimit. Së pari, vlerëson raporti, ekzekutivi kosovar duhet ta çojë për rishikim kushtetues draftstatutin e propozuar nga BE-ja.
E krahas dërgimit të draftstatutit në Gjykatën Kushtetuese, në bazë të raportit të KCSS-së, qeveria kosovare udhëzohet gjithashtu të iniciojë një proces të ri zgjedhor në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – dhe të adresojë çështjen e shpronësimeve në pjesën veriore të territorit të banuar me shumicë serbe.
“Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë nga kryetarët dhe asambleistët e katër komunave në veri të vendit që të japin dorëheqje dhe të organizojnë zgjedhje të reja për kryetar komunash sa më shpejt që të jetë e mundur. Përveç kësaj, qeveria duhet të përgatisë një propozim për trajtimin e policimit në veri dhe të punësojë policë të rinj serbë nga veriu i Kosovës”, thuhet në këtë raport.
Nga ana tjetër, pala serbe duhet të ndërmarrë hapa reciprokë për të treguar përkushtimin ndaj normalizimit, përfshirë arrestimin dhe ndjekjen penale të drejtuesit të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, mbështetjen ose mos kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE), por edhe lehtësimin e rihapjes për automjete të urës kryesore mbi lumin Ibër.
“Serbia duhet të ndalojë së penguari anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe të inkurajojë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në institucionet e Kosovës dhe të miratojë publikisht marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, sugjerohet në raportin e KCSS-së.
Ndryshe, takimet e mbajtura së fundi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e BE-së, qoftë në nivel të lartë apo në nivel të kryenegociatorëve, nuk kanë prodhuar rezultate konkrete. Kosova dhe Serbia vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatimin e marrëveshjeve ekzistuese apo për dështimin dhe ngërçin në kuadër të procesit të dialogut.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com