Sport

KB Trepça reagon ndaj pretendimeve të Prishtinës për kurdisje të ndeshjes


KB Trepça, ka ftuar organet e rendit ta hetojnë pretendimin e Prishtinës për manipulim të ndeshjes mes dyja klubeve që u luajt të dielën në Pallatin e Rinisë në kryeqytet.

Sot, Trepça ka lëshuar një komunikatë ku thonë se janë “të pastër si kristali” dhe nuk lejojnë që të përlyhet emri i tyre.

“Klubi ynë nuk është dhe nuk ndjehet pjesë e këtyre zhvillimeve jashtë fushës së basketbollit. TREPÇA, ashtu si kristalet e minierës sonë, është plotësisht e pastër. KB Trepça nuk merret me gjëra që nuk i takojnë sportit dhe me “lojëra” jashtë parketit”.

Trepça ka ftuar organet përgjegjëse të hetuesisë së shtetit të Kosovës që të zbardhin rastin.

“Prandaj, ftojmë organet përgjegjëse të hetuesisë së shtetit tonë dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës që të kryejnë punën e tyre dhe të zbardhin pretendimet e klubit Sigal Prishtina. Gjithashtu ftojmë dhe do të insistojmë si klub që të zbardhen jo vetëm këto pretendime, por të gjitha dyshimet për parregullsi në basketbollin kosovar në vitet e fundit”.

Prishtina po pretendon se gjyqtarët e huaj që do të gjykonin ndeshjet e play-offit u tentuan të manipuloheshin me ryshfet para ndeshjes së tretë gjysmëfinale mes kryeqytetasve dhe Trepçës.

Më pas, ndeshja mes Prishtinës dhe Trepçës u gjykua nga vendorët, pa ndonjë paralajmërim.  Prishtina udhëheq serinë gjysmëfinale e rezultat 2-1.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore