Kosova

Katër raste të krimeve të luftës mbesin pezull në Gjykatën e Mitrovicës


Gjykata në Mitrovicë.

Raporti i Fondit për të Drejtën Humanitare ka bërë të ditur se katër raste të krimeve të luftës janë duke qëndruar pezull në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Kjo është bërë e ditur në diskutimin me temën “gjykimi i krimeve të luftës në mungesë – veprimi i duhur?”.

Koordinatori i projektit, Amer Alija, bëri të ditur se gjatë vitit 2022 janë arrestuar pesë persona për krime të luftës.

“Që nga përfundimi i luftës institucionet gjyqësore i kanë dënuar vetëm 72 persona, janë vrarë më shumë se 10 mijë viktima civile. Në këtë raport janë trajtuar 13 raste gjyqësore. Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës e kemi një stagnim të punës në katër raste”.

“Vonesa të tilla mund të rrezikojnë efektivitetin, në anën tjetër viktimat dhe dëshmitarët sigurisht që do të zhgënjehen. Efikasiteti në ndjekjen penale nuk është i kënaqshëm. I kemi adresuar edhe ngecjet dhe i kemi rekomanduar disa hapa që duhet të ndërmerren nga ana e gjyqësorit”, ka thënë Alija.

Ndërsa, prokurorja speciale, Drita Hajdari konsideron se pas pranimit të mbi 900 rasteve për krime lufte, kanë arritur në një menaxhim të mirëfilltë të këtyre rasteve.

“Kemi caktuar prioritete, masakra, dhunime seksuale dhe raste që kemi pasur prova të mjaftueshme të krimeve. Në fillim të marrjes së kompetencave kemi punuar dy prokurorë, tash jemi katër, shumica e provave materiale ndodhet në Tribunalin e Hagës”.

“11 milionë prova të ndryshme ndodhen atje, nuk do të thotë që janë të gjitha për Kosovën. Ne jemi në përgatitjen e disa aktakuzave për gjykimin në mungesë”, ka deklaruar Hajdari.

Raporti i Fondit për të Drejtën Humanitare

Sipas avokatit, Artan Qerkini gjykimi në mungesë ka qenë domosdoshmëri.

“Kodi i Procedurës Penale ka hyrë në fuqi me datën 18 shkurt të këtij viti dhe janë paraparë disa veprime, do të kërkohet qe ftesa së bashku ke aktakuzën të publikohen në uebfaqen e prokurorisë dhe në gazetën zyrtare. Është një garanci shtesë për të pandehurin, nëse ai arrestohet ka të drejtë të kërkojë rigjykim”.

Zëvendësshefja e Misionit në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, Pualine Menthonnex Gacaferri, potencoi se bashkëpunimi mes autoriteteve të Kosovës e Serbisë vazhdon të jetë thelbësor për të arritur progres.

“Deri më tani nuk ka pasur gjykim në mungesë. Dhe kjo do të shkonte kundër praktikave që shihen dhe promovohen në arenën ndërkombëtare të sundimit të ligjit”.

“Për të ngritur akoma më shumë performancën e institucioneve, për të ofruar kapacitete të mëtutjeshme, së dyti themelimi i bashkëpunimit mes autoriteteve gjyqësore mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte thelbësore për të arritur progres”.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008 krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Nga viti 2008, hetimin e krimeve të luftës e kishte përgjegjësi Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018 misioni i EULEX-it përfundoi procesin e dorëzimit të dosjeve tek prokuroria dhe gjykatat vendore.

Këto raste penale tani janë në duart e prokurorëve dhe gjyqtarëve të institucioneve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore