Lajme

Katër persona shpallen fajtorë për terrorizëm


Ilustrim.

Katër persona janë shpallur fajtorë për vepra penale që lidhen me terrorizmin apo kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Prishtinë përmes një komunikate për media ku ka thënë se të njëjtit dyshohen për veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

“E.S, M.B dhe A.Gj u gjetën fajtorë edhe për veprën Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. I akuzuari N.S u gjet fajtor për veprën “lehtësim dhe financim i terrorizmit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Për shkak të mungesës së provave, A.Gj është liruar në mungesë provash nga vepra penale “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”.

Seanca për caktimin e dënimit është caktuar për 25 janar.

Ndërsa, aktakuza ndaj katër të akuzuarve ishte ngritur në dhjetor të 2022-ës, Prokuroria Speciale kishte njoftuar se katër personat akuzoheshin se nga marsi i vitit 2021 deri në tetor të po atij viti, kishin bërë përpjekje të krijonin një strukturë organizative “për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë”.

Sipas aktakuzës, katër të pandehurit kishin kontaktuar me një person që kishte një gradë të lartë “në organizatën terroriste Shteti Islamik” dhe ishin angazhuar që të siguronin armatime të ndryshme.

Dy prej të pandehurve, sipas Prokurorisë Speciale, u akuzuan se kishin fshehur armë të zjarrit dhe municion të llojeve të ndryshme, të cilat i kishin vendosur në bure të plastikës dhe i kishin groposur.

Për vepra terroriste dhe kundër rendit kushtetues parashihen dënime të ndryshme sipas ligjeve në Kosovë,

Që nga viti 2015, në Kosovë po ashtu ndalohet pjesëmarrja në luftëra të huaja dhe sipas ligjit, parashihen dënime deri në 15 vjet burgim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore