Sport

Kategoria Superiore U21, gola dhe spektakël


Sezoni futbollistik 2020/21 do të shënojë një kthesë përsa i përket vëmendjes së hedhur tek grupmoshat, sidomos ato U21. Kryesisht ekipet e Kategorisë Superiore, të cilat “të detyruara” edhe nga FSHF, krijuan ekipet U21, në të kundërt do të kishin sanksione apo gjoba, por që, nuk mbeti thjesht një krijim ekipi, po u shoqërua nga një merkato e fuqishme nga secili ekip dhe shpeshherë në ndeshje të rëndësishme ka shumë lojëtar që nga ekipet e para luajnë për U21 e ekipit përkatës.

Në këtë kategori militojnë 13 ekipe, Laçi, Vllaznia, Bylis, Tirana, Kukësi, Teuta, Kastrioti, Apolonia, Dinamo, Shënkolli, Turbina, Football Republic dhe Akademia e Futbollit.

Në total të 13 ekipet e Kategorisë Superiore U21, deri tani kanë shënuar 132 gola, kur janë edhe tre ndeshje pa u luajtur, për të përmbyllur javën e gjashtë. Gjithashtu përgjatë këtyre javëve të luajtura janë marrë 111 kartona të verdhë dhe shtatë kartona të kuq.

Ekipet me sulmin më të mirë janë Dinamo me 18 gola, e ndjekur nga Kastrioti me 16 gola dhe Bylis me 15 gola, të shënuar. Ndërsa me sulmin më të dobët janë Football Republic me tre gola të shënuar dhe Akademia e Futbollit me dy gola të shënuar.

Mbrojtjet më të mira janë, ajo e Bylis, Vllaznisë dhe Kukësit, me katër gola të pësuar. Ndërsa ekipi me mbrojtjen më të dobët deri në këto gjashtë javë është Akademia e Futbollit, e cila ka pësuar 37 gola, ndërsa pas saj në renditje si mbrojtja më e dobët vjen Turbina me 13 gola të pësuar.

Vllaznia është ekipi që s’ka asnjë humbje deri tani. Ndërsa, ekipet me më shumë fitore janë Laçi, Dinamo, Vllaznia dhe Bylis (dy të fundit kanë nga një ndeshje më pak), me nga katër fitore secila. Kastrioti dhe Tirana janë ekipet që kanë barazuar më shumë, nga dy ndeshje për secilin ekip. Kurse, ekipi që ka më shumë humbje është Akademia e Futbollit, që numëron gjashtë humbje në po kaq javë.

Aktualisht, pas  gjashtë javësh, kampionatin e kryesojnë Laçi, Dinamo dhe Vllaznia me nga 13 pikë, Bylis në vendin e katërt me 12 pikë, Kukësi në vendin e pestë, me 10 pike, Kastrioti në vendin e gjashtë dhe Tirana në vendin e shtatë, me nga tetë pikë, Shënkolli në vendin e tetë dhe Apolonia në vendin e nëntë, me nga shtatë pikë, Teuta në vendin e 10, me gjashtë pikë, Football Republic në vendin e 11 dhe Turbina  në vendin e 12, me nga tre pikë . Ndërsa në vendin e fundit të renditjes ndodhet Akademia e Futbollit, e cila pas gjashtë javësh nuk ka arritur të sigurojë asnjë pikë.

Shënim* Vllaznia, Bylis, Kukësi, Kastrioti, Football Republic dhe Turbina kanë nga një ndeshje më pak.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore