Përballje

Kategoria Superiore, përballen dy kryesuesit


Me dy ndeshjet e ditës së hënë do të mbyllet java e nëntë në Abissnet Kategorinë Superiore.

Dinamo, Egnatia, Kukësi dhe Tirana janë skuadrat të cilat do zbresin në fushë gjatë ditës së parë të javës.

Dy të parat, të ngjitura këtë vit në Superiore, përballen sot me njëra-tjetrën.

Me fillim në orën 16:45, Dinamo kërkon që të shkëputet nga zona e ftohtë me një fitore eventuale.

Edhe pse në vendin e gjashtë, punët më mirë nuk i ka as Egnatia, e cila ka dhjetë pikë, vetëm një më shumë se Dinamo e vendit të tetë.

Por, një fitore eventuale, do e ngjiste Egnatia-n në vendin e katërt, me pikë të njëjta sa kampionët në fuqi Teuta.

Skuadrat përballen në kryeqytet, me Dinamon që do të jetë nikoçirë në këtë takim.

Tre orë më vonë, me fillim në orën 19:45, zhvillohet kryendeshja e javës.

Kukësi i vendit të dytë, pret në “Zeqir Ymeri” Tiranën kryesuese.

Veriorët vijnë pas humbjes së befasishme nga Skënderbeu, dhe janë gjashtë pikë më poshtë se Tirana.

Një fitore eventuale, bardheblutë do t’i ngjiste nëntë pikë më lartë se çdo rival tjetër në ligë.

Tirana vjen në këtë takim pas eliminimit të befasishëm nga kupa, ku u mundën nga Dinamo me penallti. Por, në Superiore, Tirana ka pesë fitore me radhë dhe ende nuk di për humbje në këtë kampionat.

Me këto dy ndeshje mbyllen perdet për Superioren deri të premten, kur nis java e dhjetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore