Përballje

Kategoria Superiore/ Në fushë zbresin lideri dhe kampionët në fuqi


Fillon sot, të martën, java e 12-të e Kategorisë Superiore.

Në program janë dy ndeshje, dhe në aksion vjen lideri i Kategorisë Superiore, Tirana dhe kampionët në fuqi, Teuta.

Dy ndeshjet e ditës së sotme fillojnë në orarin e pasditës, pra në 16:45.

Të dyja takimet e ditës së sotme do të zhvillohen në kryeqytet.

Dinamo e pret Teutën në “Selman Stërmasi”, ndërsa Tirana luan përballë vendit të fundit, Kastriotit, në “Air Albania”.

Tirana u kthye te fitorja në duelin përballë Egnatia-s, dhe kërkon që sot të vazhdojë ecurinë e fitoreve përballë vendit të fundit.

Ndeshja përballë Kastriotit është relativisht e lehtë për bardheblutë, që konsiderohen si favoritët kryesorë për titullin këtë edicion.

Kastrioti në anën tjetër ka pësuar humbje në katër takimet e fundit, duke arritur vetëm një fitore në 11 ndeshje.

Dinamo dhe Teuta është një ndeshje pak më e balancuar, sa i përket pozitave në tabelë.

Teuta ndodhet në vendin e gjashtë, me vetëm 14 pikë pas 11 javësh.

Dinamo gjendet një pozitë më poshtë, dhe ka një pikë më pak.

Mirëpo, të dy skuadrat aq sa janë afër zonës së ftohtë, janë edhe afër zonës Evropiane.

Fituesi, nëse ka, sot do të ndahet me zonën Evropiane, derisa humbësi mbetet në shoqëri me skuadrat që luftojnë mbijetesën.

Me këto dy ndeshje mbyllet dita e parë, kurse java e 12-të në Abissnet Kategorinë Superiore zhvillon ndeshje edhe të mërkurën dhe të enjten.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore