Përballje

Kategoria Superiore/ Egnatia befason Partizanin, Tirana fiton me “poker” ndaj Kukësit


Këtë të hënë u zhvilluan dy ndeshje të xhiros së 10-të në Kategorinë Superiore.

Egnatia është duke treguar formë të mirë në këtë fillim të sezonit, të cilët këtë herë mposhtën Partizanin kryesues me rezultat 3:0.

Sfida u zhbllokua në minutat shtesë të pjesës së parë, kur nga pika e bardhë e penalltisë, Fernando u tregua i saktë duke e kaluar Egnatian në epërsi.

Menjëherë në aksionin pasardhës, vendasit nga Rrogozhina shënuan edhe njëherë tjetër, kur shfrytëzuan më së miri një gabim të mbrojtjes së Partizanit. Redon Mihana ishte golashënuesi.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi të dyfishtë të vendasve, derisa në të dytën ata shënuan edhe njëherë.

Ishte minuta e 70-të, kur pas një kundërsulmi klasik, Arbin Zejnulai shënoi për rezultatin përfundimtar 3:0.

Kështu Egnatia ngjitet në vendin e katërt me 15 pikë, teksa Partizani vazhdon të kryesojë me 19 pikë.

Në ndeshjen tjetër të ditës së diele, Tirana deklasoi Kukësin, duke e mposhtur me rezultat 4:1.

Rezultati në këtë ndeshje u zhbllokua në minutën e 43-të, kur Florent Hasani kaloi Tiranën në epërsi.

Në minutat shtesë të pjesës së parë, Kukësi arriti ta barazojë rezultatin me anë të kroatit Edi Basa.

Në minutën e 59-të, Edison Ndreca u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Kukësin me një futbollist më pak në fushë.

Këtë epërsi e shfrytëzoi më së miri Tirana, duke shënuar edhe tre herë në portën kundërshtare.

Fillimisht, Sherif Kallaku shënoi për 2:1 në minutën e 72-të, pastaj 10 minuta më vonë, Patrick dyfishoi epërsinë dhe tre minuta para fundit të ndeshjes, Vesel Limaj shënoi nga penalltia për rezultatin përfundimtar 4:1.

Me këtë fitore, Tirana ngjitet në vendin e dytë me 18 pikë, ndërsa Kukësi mban vendin e shtatë me 11 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore