Shqipëria

KAS rrëzon kërkesën e Belerit, mbetet në fuqi vendimi i Celibashit për t’i hequr mandatin e kryebashkiakut


Shkalla e fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i ka dhenë të drejtë një vendimi të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për t’i hequr mandatin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Beleri.

Kjo, pas një ankimi që Beleri paraqiti në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve, ku ky i fundit në mbledhjen e 12 shtatorit e rrëzoi atë.

Sipas një njoftimi zyrtar, Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi bashkërisht kërkesën ankimore nr. 9, datë 03.08.2024 me kërkues Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, dhe kërkesën ankimore nr. 10, datë 04.08.2024 me kërkues z, Dhionisios Alfred Beleri, me objekt “Kundërshtimin e vendimit nr. 69, datë 05.07.2024 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë z. Dhionisios (Alfred) Beleri, propozuar nga koalicioni Bashkë Fitojmë”.

Në përfundim të shqyrtimit, KAS me shumicë votash vendosi rrëzimin e kërkesave ankimore nr. 9 n dhe nr. 10, dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 69, datë 05.07.2024 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë z. Dhionisios (Alfred) Beleri, propozuar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

Tashmë Belerit, si rrugë e fundit për ankim, i ka mbetur Kolegji Zgjedhor, nëse do të kërkojë ta shtyjë më tej çështjen.

Më 2 shtator, Beleri u lirua me kush, pas dënimit të tij për korrupsion aktiv në zgjedhjet e 14 majit 2023.

Vetë Beleri nuk e ka pranuar asnjëherë vendimin për ta dënuar atë dhe e ka luftuar në çdo shkallë. Teksa, gjatë qëndrimit të tij në burg, ai ka arritur të zgjidhet edhe si eurodeputet në Greqi, nga radhët e partisë Demokracia e Re, e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore