Shqipëria

KAS gjobit kryebashkiaken e Lushnjës dhe Sekretaren e MSH-së për shkelje në zgjedhjet e 6 marsit


Kryebashkiakja e Lushnjës Eriselda Sefa dhe Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Gelardina Prodani, janë gjobitur nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.

KAS, në mbledhjen e sotme të 31 majit, ka vendosur të gjobisë me 100 mijë lekë kryebashkiaken Sefa dhe 25 mijë lekë sekretaren e ministrisë.

Ato akuzohen për shkelje administrative në kuadër të fushatës zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie të datës 6 mars 2022.

Kjo vjen pasi KAS ka shqyrtuar kërkesën e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për vendosjen e sanksionit administrativ ndaj Sefas në vlerën 50 mijë lekë.

KAS, në përfundim të shqyrtimit, ka vendosur pranimin e pjesshëm të kërkesës nr. 1, datë 23.05.2022 të KShZ dhe vendosjen e sanksionit administrativ të mbështetur në pikën 1 të nenit 172 të Kodit Zgjedhor në vlerën 100 mijë lekë.

Mbështetur në pikën 1 të nenit 171 të Kodit Zgjedhor, ka vendosur sanksionin administrativ ndaj Prodanit në vlerën 25 mijë lekë.

Po ashtu mbështetur në pikën 2 të nenit 171 të Kodit Zgjedhor, KAS ka vendosur sanksionin administrativ ndaj Drejtorit të Spitalit “Ïhsan Çabej” Lushnje, Perin Vogli, në vlerën 2 mijë e 500 lekë.

Si dhe pushimin e procedimit administrativ ndaj subjektit zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë” dhe ndaj ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale,  Ogerta Manastirliu.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore