Lajme

Kapet në Gjermani i dyshuari për vrasjen e vitit 2022 në Kaçanik, ekstradohet në Kosovë


Ilustrim

Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se është kapur në Gjermani një i dyshuar për vrasjen të rëndë që kishte ndodhur vitin e kaluar në Kaçanik, dhe se i njëjti këtë të shtune është ekstraduar në Kosovë.

Sektori Rajonal i Hetimeve nën autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj i kishte nisur hetimet për rastin e vrasjes së rëndë, ku nga të shtënat me armë zjarri në vendin e ngjarjes kishte ndërruar jetë personi H.B ( M/K) i moshës 31 vjeçar , ndërsa plagë të rënda trupore kishte pësuar personi tjetër K.B (M/K) i moshës 34 vjeçar, i cili ishte dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Sektori Rajonal i Hetimeve pas punëve intenzive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, kishte identifikuar dhe ishte vënë në ndjekje të personave të dyshuar: H. Q ( M/K) i moshës 38 vjeçar dhe L. T ( M/K) i moshës  22 vjeçar .

Në lidhje me këtë policia rajonale e Ferizajt në bazë të autorizimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, për publikimin e fotografive të personave në kërkim, kishte  kërkuar bashkëpunim me qytetarë rreth informacioneve për vendndodhjen e dy të dyshuarve, e në anën tjetër Gjykata Themelore e Ferizajt kishte lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar.

Siç njofton policia e Kosovës, me kërkesë të autoriteteve vendore, këtë të shtune autoritetet e shtetit të Gjermanisë kanë ekstraduar në aeroportin e Prishtinës të dyshuarin L.T ( M/K ) i moshës 38 vjeçar, i cili ditë më parë është arrestuar në Gjermani.

Policia Rajonale e Ferizajt të dyshuarin e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe ndaj tij nga gjykata është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, “ndërsa në kërkim policor mbetet i dyshuari tjetër H.Q”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore