
Ndeshja mes Bylisit dhe Tiranës ka përshkallëzuar me hyrjen e tifozëve bardheblu në fushën e gjelbërt pas përfundimit të takimit.
Kjo, pasi ekipi kryeqytetas ngeci në një barazim 2 me 2 kundrejt ballshiotëve.
Autoritetet bënë me dije se kanë shoqëruar disa tifozë të Tiranës pasi dhunuan kryesorin e ndeshjes Kridens Meta.
“Më datë 25.05.2023, në përfundim të ndeshjes Bylis-Tirana, në Rrogozhinë, disa tifozë të Tiranës kanë hyrë në fushë dhe kanë tentuar të dhunojnë gjyqtarët e ndeshjes. Shërbimet e Policisë kanë reaguar menjëherë duke shoqëruar këta shtetas, për të cilët po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.
Barazimi i bardhebluve dhe fitorja e “Demave të Kuq”, i ka rrëzuar nga kreu të besuarit e Orges Shehit dhe në krye kalojnë djemtë e Giovanni Colella.
Kujtojmë që kampionati ka vetëm një javë deri në përfundimin e plotë të tij.
Ndeshja
Në sfidën e zhvilluar në Rrogozhinë, Tirana kaloi e para në avantazh me golin e Ardit Hilës në minutën e 21. Por, pas një gafe në prapavijë, Bylisi do të barazonte me Abu Danladi-n vetëm pesë minuta më vonë.
Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, edhe pse Tirana ishte më kërkuese dhe humbi disa raste të mira shënimi.
Në pjesën e dytë, do të ishin përsëri bardheblutë që do të gjenin rrjetën të parët. Në minutën e 52, Hila ishte edhe një herë heroi për Tiranën duke u dhënë avantazhin.
Megjithatë, Bylisi në minutën e 74 do të fitonte 11 metërsh. Pas shumë minutave protesta nga ana e bardhebluve, gjyqtari Kridens Meta nuk ndryshoi vendimin e tij dhe e la në fuqi penalltinë. Penallti të cilën në minutën e 80 e shëndroi në gol mbrojtësi, Mevlan Adili.
Me 10 minuta shtesë në fund të takimit, Tirana do të afrohej disa herë me golin. Rasti më i pastër do të ishte në sekondat e fundit kur Filip Najdovski nuk mundi të shtynte topin në rrjetë vetëm disa centimetra larg vijës fatale.
Në fund të ndeshjes, pasi kishte përfunduar takimi, lojtarët e Tiranës dhe stafi i skuadrës rrethuan gjyqtarin Meta duke i kërkuar llogari për penalltinë e dhënë në favor të Bylisit. Pas tyre në fushë u futën edhe tifozët bardheblu, por policia arriti të largonte të sigurtë gjyqtarin dhe ndihmësit e tij.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com