Muzikë

Kanye West akuzohet për racizëm dhe antisemitizëm në një padi të re


Rep artisti kontrovers Kanye West u bërtiti vazhdimisht punonjësve të tij me ngjyrë dhe vlerësoi Adolf Hitlerin si një “novator” bazuar në të dhënat e një padie të re të ngritur në Kaliforni.

Kreatori që qëndron pas markës së stilistëve Yeezy, sipërmarrjet muzikore dhe të modës së të cilit e kanë bërë atë jashtëzakonisht të pasur, ka shkaktuar vazhdimisht polemika në vitet e fundit me gjuhën raciste dhe antisemitike.

Tani një ish-punonjës pretendon se autori i hitit “Stronger” u tha nxënësve të shkollës se po persekutohej nga hebrenjtë.

Trevor Phillips, i cili si West edhe ai është me ngjyrë, dhe punoi për dy nga sipërmarrjet e rep artistit për gati një vit, pretendon në një padi në Los Anxhelos se ai pësoi diskriminim, ngacmim dhe hakmarrje të rëndë nga Kanye, i cili njihet gjithashtu si Ye.

Phillips tha se West kurrë nuk do të “qortonte një person të bardhë, por në raste të panumërta ai pa dhe/ose përjetoi personalisht skena kur Kanye u bërtiste me tërbim njerëzve me ngjyrë”.

Ai u punësua në nëntor të vitit 2022 nga Yeezy, marka e veshjeve të reperit, dhe menjëherë filloi të punojë në Akademinë Donda, një shkollë e rep artistit e themeluar jashtë Los Anxhelosit.

“Phillips, në disa raste, ishte dëshmitar i Kanye-s duke i predikuar stafit të tij turpësi të tilla si ‘hebrenjtë janë jashtë për të më kapur’ dhe ‘hebrenjtë po më vjedhin të gjitha paratë'”, thuhet në padi.

Gjigantët e veshjeve GAP dhe Adidas ndanë rrugët me West pas komenteve të mëparshme antisemite.

Padia gjithashtu pretendon se West lavdëroi Hitlerin, duke e quajtur liderin nazist “të madh” në një darkë në një restorant luksoz në Los Anxhelos.

“Hitleri ishte një novator. Ai shpiku kaq shumë gjëra. Ai është arsyeja pse ne kemi makina”, pretendohet në padi se kështu ka thënë Kanye.

Vlen të theksohet se një numër njerëzish janë kanë kontribuar për zhvillimin e makinës, duke përfshirë Karl Benz dhe Gottlieb Daimler, por Hiteleri, i lindur në Austri nuk ishte njëri prej tyre.

Në padi, Phillips gjithashtu pretendon se rep artisti një herë u tha dy fëmijëve në Akademinë Donda të rruanin kokën dhe i kërcënoi se do t’i mbyllte në kafaze.

Phillips, i cili ndaloi së punuari për sipërmarrjet e West në gusht të vitit 2023, po kërkon 35 mijë dollarë kompensim.

Avokati i tij, Carney R. Shegerian, tha se padia kishte për qëllim korrigjimin e gabimeve që kishte pësuar klienti i tij dhe dërgimin e një mesazhi më të gjerë.

“Shpresojmë që artisti i famshëm Kanye West do të kuptojë se mesazhet e tij, të cilat ne pretendojmë se predikojnë diskriminim, antisemitizëm dhe dashuri për Hitlerin, nuk kanë vend në botë”, tha Shegerian.

West, i cili u nda nga sipërmarrësja e famshme Kim Kardashian në vitin 2022 pas një dekade së bashku, i kërkoi falje hebrenjve në mediat sociale vitin e kaluar për shpërthimet e mëparshme antisemitike.

Kanye ka folur hapur për vështirësitë e tij me shëndetin mendor dhe Kim kishte bërë thirrje për mirëkuptim teksa punon me problemet.

Kanye West i kërkon falje komunitetit hebre në hebraisht pas “shpërthimit” antisemitik “të paqëllimshëm”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore