Lajme

Kanditati për president në Malin e Zi: Pavarësia e Kosovës është fakt, s’e shqyrtoj tërheqjen e njohjes


Jakov Milatoviç

Kandidati për president në Malin e Zi, Jakov Milatoviç, në një intervistë për ABC News, deklaroi se nëse fiton zgjedhjet presidenciale dhe zgjidhet shefi i shtetit malazez, nuk do të tërhiqet nga ratifikimi për njohjen e Kosovës.

“Është patjetër fakt dhe ne i qëndrojmë faktit. Mendoj se edhe partitë e tjera, të gjitha kanë firmosur një traktat, me duket në fund të vitit të shkuar me historinë e rikonstruktimit me kryeministrin [Dritan] Abazoviç, ku të gjitha partitë njohën faktin duke përfshirë çështjen e Kosovës”, tha Milatoviç.

“Këto janë faktet dhe mendoj se ajo që kemi nevojë është të ndërtojmë rrugët për një zhvillim ekonomik mes vendeve të rajonit që me në fund të shkojmë në nivelin e duhur për BE”, shtoi tutje ai.

Në lidhje me dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropiani ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai u shpreh se të gjitha shtetet në rajon do të ishin të lumtura nëse të dyja vendet do të arrinin një marrëveshje.

“Mendoj që Mali i Zi si dhe të gjitha shtetet e rajonit do të ishin shumë të lumtur në çdo gjë që Beogradi dhe Prishtina vendosin, sepse vetëm rajoni i bashkuar pa kufij dhe pa kostot ekonomike të tyre, rajoni që është inkorporuar në BE, është një rajon i stabilizuar dhe me prosperitet”, theksoi ai.

Ndryshe, pasi janë përpunuar votat në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, bëhet e ditur se në raundin e dytë do të jenë presidenti aktual Milo Gjukanoviç dhe Jakov Milatoviç nga Lëvizja Evropa Tani.

Ekspertët e skenës politike malazeze paralajmërojnë se Milatoviç është evropian me veshje ruse. Edhe pse student i Oksfordit dhe intelektual me orientim liberal, ai ishte ministër në qeverinë pro-serbe, e cila ishte mbledhur nga Kisha Ortodokse Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore