Kosova

Kandiç: Vuçiç po flet shpesh për fëmijët e vrarë serbë, por s’po i përmend 1.400 fëmijët e vrarë në Kosovë


Natasha Kandiç

Aktivistja më e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, vazhdimisht po i përmend fëmijët e vrarë serbë pas sulmeve masive atje, porse askush nuk po i përmend 1 mijë e 400 fëmijë shqiptarë  të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Në një intervistë për gazetën kroate “Slobodna Dalmacija”, teksa komentoi vrasjet masive në Serbi, ku mbetën të vdekur rreth 17 persona dhe disa dhjetëra të plagosur, tha se problemi qëndron te atmosfera e glorifikimit të krimit dhe kriminelëve të luftës në shoqërinë serbe.

“Sot Vuçiç përsërit çdo ditë se nuk do të ketë njohje të Kosovës, sepse Kosova është pjesë e Serbisë. Ai shpesh përmend fëmijët e vrarë serbë, por askush nuk flet për 1400 fëmijët e vrarë të Kosovës. Të gjithë i shikojnë viktimat e veta, të askujt tjetër”, tha Kandiç.

“Në Serbi, i dënuari për krime lufte Ratko Mlladiç është hero. Beogradi është plot me grafite dhe murale të tilla. Prej kohësh kemi pasur edhe një mural kushtuar [Vladimir] Putinit, kemi mbishkrime se si po kthehet ushtria serbe në Kosovë. Ne po lëvizim në një hapësirë ​​publike që dërgon mesazhe të tilla”, shtoi ajo.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e të vrarëve gjatë luftës.

Për më tepër, niveli më i lartë i posedimit të armëve civile në Evropë është regjistruar në Serbi. Më shumë se 1.5 milion armë që zotërojnë qytetarët në Serbi janë të paregjistruara, prandaj nënvizoi Kandiç, militarizimi dhe njëfar “kulti i luftës” po rritet në Serbi.

“Prodhimi i armëve është i rëndësishëm për Serbinë, numri i ushtrisë dhe policisë po rritet dhe ju mund t’i bashkoheni forcave speciale edhe pas një kursi të zakonshëm. Po krijohet një klimë e re, shumë e rrezikshme, në të cilën ka mundësi që pushteti të mendojë të ndalojë Twitter-in, Facebook-un dhe rrjetet sociale”.

Kandiç ka qenë një ndër njerëzit e rrallë në Beograd, që ka justifikuar ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe këtë e ka thënë hapur. Ajo më pas ka mbështetur edhe pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008, ndërsa ishte mysafirja e vetme nga Serbia në ceremoninë e shpalljes së pavarësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore