Lajme

Kandiç: Lidershipi në Serbi inkurajon grupet ekstremiste, t’i ndalin lojërat e rrezikshme


Natasha Kandiç

Aktivistja për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç, në një prononcim për mediumin opozitar serb “Danas”, vlerësoi se lidershipi politik në Serbi duhet të ndalet me deklarata dhe veprime jashtë dijes publike, të cilat inkurajojnë grupet dhe partitë ekstremiste.

“Mos i çmendni qytetarët, veçanërisht serbët në Kosovë për kthimin e personelit serb në Kosovë, ndaloni lojërat e rrezikshme politike – largimi nga institucionet e Kosovës, ngrirja e mandateve, persekutimi i serbëve të Kosovës që nuk pajtohen me keqpërdorimet e institucioni i deputetëve”, theksoi Kandiç.

Ajo ka komentuar edhe deklaratat irridentiste të të ashtuquajturit drejtor të “Zyrës për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, për të cilin potencoi se “me retorikën e tij helmuese turpëron çdo qytetar të denjë të Serbisë” dhe largimi i tij nga skena publike do të ndihmonte në qetësimin e situatës.

Kandiç ka komentuar edhe propozimin franko-gjerman për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por në mënyrë që të ketë sukses, duhet të “iniciohet një depat ekspertësh, pa pjesëmarrjen e ‘patriotëve politikë’”.

Ndërkaq, ajo i ka bërë thirrje edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të nisë pa vonesë procesin e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara, duke iu referuar themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ai bëri gjëra të mira për të eliminuar diskriminimin e Republikës së Serbisë ndaj shqiptarëve, kishte të drejtë të kërkonte respektimin e simboleve të Kosovës për të gjithë ata që jetojnë në atë vend, por tani le të tregojë se po lufton njëlloj për mirëqenien – të serbëve dhe të pakicave tjera”, përfundoi Kandiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore