Lajme

Kanada, piktori shqiptar ‘rrëmben’ çmimin e karrierës


Piktori shqiptar, Zeqirja Rexhepi, u shpall fitues i çmimit vjetor në kategorinë “Established Artist Recognition Award” për vitin 2021.

Vendi i parë iu dha nga qendra artistike “Arts Nova Scotia” së bashku me “Creative Nova Scotia” në Halifaks të Kanadasë.

Piktori Rexhepi u përzgjodh nga një Komision i veçantë dhe u vlerësua për “përsosmërinë e tij në arritjet artistike, vrullin për të ardhmen dhe njohjen profesionale në Nova Scotia”.

Çmimi në fjalë vlerëson artistët, që kanë dalë nga trajnimi dhe zhvillimi i tyre fillestar për t’u bërë artistë të njohur në Nova Scotia si dhe përkthehet në një vlerë monetare prej 5 mijë dollarësh kanadez.

“Zeqirja Rexhepi, i vendosur, adaptues, empatik dhe transformues janë atribute të përsëritura të viteve të përvojës dhe punës së tij”, cilësohet në njoftimin e qendrës artistike.

Mbi artistin:

Zeqirja Rexhepi u lind në vitin 1955 në fshatin Përlepnicë të Gjilanit në Kosovë.

Ai i ekspozoi gjerësisht pikturat e tij në Kosovë dhe jashtë saj dhe u porosit si muralist për të krijuar murale për disa kisha dhe xhami.

Artisti është bashkëautor me Demir Behlulin, i veprës monumentale në Kishën e Shën Antonit në Binçë të Gjilanit “Martirët e Karadakut 1846 – 48”.

Gjatë luftës në Kosovë në 1999-n, Rexhepi me familjen e tij u largua dhe ka qëndruar më shumë se një muaj në një kamp refugjatësh në Maqedoninë e Veriut.

Familja Rexhepi u bë pjesë e rreth shtatë mijë refugjatëve nga Kosova, që shkuan në Kanada me ndihmën e Qeverisë kanadeze.

Ai nuk i është ndarë asnjë ditë profesionit dhe pasionit të tij të piktures, dhe gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur shumë ekspozita personale dhe grupore, punimet e së cilit e kanë pasuruar skenën artistike në Kanada dhe më gjërë.

Disa nga pikturat e tij më të arrira janë ekspozuar në Galerinë e Arteve të Universitetit Saint Mary, Pier 21, Galeria e Arteve Nova Scotia, Galeria e Muzeut të Aviacionit dhe Galeria e Arteve e Universitetit Dalhousie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore