Sport

Kampionët e nisin me fitore, Juventus-i bën detyrën në Suedi


U zhvilluan edhe gjashtë ndeshje tjera në kuadër të natës hapëse në Champions League.

Në grupin H, kampionët e Chelsea-s dhe Juventus-i bën detyrën.

Në fakt, për Blutë e Londrës, ndeshja shkoi më vështirë se ç’pritej.

Përballë Zenit-it, skuadra e Tuchel u detyrua të gëzohej me një gol që vlejti tre pikë të mëdha.

Ishte Romelu Lukau heroi i bluve, me një gol me kokë në minutën e 69-të.

 

Në të njëjtin grup, Juventus-i bëri detyrën përballë Malmo-s.

Zonja e vjetër fitoren e parë të sezonit të ri e arriti në Suedi, me rezultat 0-3.

Të gjitha golat u shënuan në pjesë të parë, me autor Alex Sandro-n, Paulo Dybala-n dhe Alvaro Morata-n.

Në grupin F, ku bën pjesë Manchester United, Villarreal dhe Atalanta dështuan që të përfitojnë në maksimum nga humbja shokuese e Manchester United.

Ndeshja mes këtyre dy skuadrave përfundoi 2-2, në një barazim shumë të luftuar.

Për Villareal-in shënuan Trigueros dhe Danjuma, kurse Freuler dhe Gosens gjetën rrjetën për Atalanta-n.

Në grupin G, pas Sevilla dhe Salzburg, në barazim u ndanë edhe Lille me Wolfsburg.

Kurse, në kryendeshjen e natës, Bayern-i arriti fitore të lehtë në “Camp Nou” përballë Barcelonës.

Në të njëjtin grup, Dynamo Kiev dhe Benfica ndanë pikët në barazimin 0-0.

Champions League vazhdon nesër, me tetë ndeshje në program.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore