Kosova

Kamberi: Prishtina e Tirana të kenë programe shtetërore për shqiptarët e Luginës


Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një intervistë për Radio Kosovën thotë se Prishtina dhe Tirana duhet të kenë programe të veçanta shtetërore për shqiptarët në Luginë, meqë sipas tij, vazhdojnë të jenë të diskriminuar.

“Mjerisht, pavarësisht se kemi hyrë në dekadën e tretë të shekullit të 21-të, ende nuk e ka kuptuar elita politike në Serbi se koha e kolonive ka përfunduar”, tha ai.

“Serbia duke shpresuar se do ta ketë Kosovën akoma koloni, vazhdon me politikat e saj që është absurde. Është një politikë e bazuar në mite dhe në mitologjinë e së kaluarës. Por që sot telashet e drejtpërdrejta ia shkakton shqiptarëve në Luginë të Preshevës”.

Për problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët, ai thekson se ka kontakte të rregullta me ambasadorin e SHBA në Beograd, Christofer Hill, por edhe me ambasadorë tjerë në Serbi.

“Kemi pasur takime edhe në Washington me Escobar-in, të cilin e kemi njoftuar për sensibilizimin e çështjes së shqiptarëve në Luginë, duke kërkuar nga ai angazhim më të madh që edhe të drejtat e shqiptarëve të Preshevës. Kemi drejtuar me shkrim kërkesë edhe përfaqësuesve të BE-së, Borell dhe Lajçak duke kërkuar angazhim maksimal edhe nga ata që çështja e shqiptarëve të mos mbetet anash dhe të mos lejohet ndërtimi i standardeve të dyfishta në trajtimin e pakicave.

Kamberi thekson se ka pasur komunikime të rregullta edhe me qeveritë e Kosovës dhe Serbisë, deri sa shton se “qëllimi ynë politik dhe strategjik është që ndërtojmë reciprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore