Kosova

Kamberi e quan “manovër të autokratit Vuçiç”, arrestimin dhe lirimin e Radojiçiç-it


Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, pas lirimit të udhëheqësit të grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, Milan Radojiçiç, ka reaguar duke thënë se arrestimi dhe lirimi i tij ishin vetëm “një manovër e Vuçiç-it”.

Kamberi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, konsideron se ai sikurse edhe vepra për cilën ai ngarkohet, është farsë e pushtetit serb.

“Serbia e Vuçiç-it, që moti është shndërruar në “deep state”, vend ku strukturat e padukshme kriminale janë mbi institucionet, ku ndikimi i politikës në drejtësi është fatal, por, me aktin e sotëm, ajo po merr edhe epitetin e shtetit “sponsor të terrorizmit””, ka shkruar Kamberi.

Ai ka shtuar se faktet që po prezantohen nga autoritetet në Kosovë flasin për implikimin e thellë të Serbisë në aktin terrorist në Banjë.

“Paradoksi i drejtësisë serbe më së miri shihet në dy ditët e fundit: Po e gjuajte me vezë muralin e kriminelit të dënuar për krime lufte dhe gjenocidin në Srebrenicë-je kriminel, ndërsa, po organizove grupe terroriste për të sulmuar shtetet fqinjë me qëllim të destabilizimit dhe rrezikimit të luftës rajonale, je hero kombëtar”.

“Retorika që po e ndjek brenda në Serbi, edhe pse të gjitha faktet që po prezentohen nga autoritetet në Kosovë flasin për implikimin e thellë të Serbisë në aktin terrorist në Banjskë, flet për një Vuçiç që nuk e ka plan me ndryshuar qasjen ndaj Kosovës dhe fqinjave në Ballkan”.

Ai ka kërkuar përgjigje nga Perëndimi se përse nuk janë duke u marrë masa ndaj Serbisë apo kërkojnë që ta kujtojnë të kaluarën.

“Çfarë duhet të ndodhë që Perëndimi seriozisht të merret me autokratin dhe putinofilin serb? Mos ndoshta duhet të përsëritet Raçaku apo Srebrenica?”.

“Mos ndoshta akoma stabilokracia është më e rëndësishme se demokracia?”.

Sipas tij, kjo është koha e fundit që duhet të veprohet fillimisht ndaj presidentit të Serbisë.

“Një qengj në CNN dhe një ujk te Mariqi në Qirilicë, Vuçiç po kalon çdo kufi të tolerancës, sepse edhe toleranca dhe flirtimi me te duhet të ketë kufijt që nuk duhet lejuar të tejkalohen”.

“Është koha e fundit që ndaj tij të ndërmerren masat serioze, sepse autokrati serb njeh vetëm atë gjuhë”.

Një ditë pas arrestimit në Serbi, udhëheqësi i grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, Milan Radojiçiç, është liruar nga paraburgimi.

Siç thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë në Beograd, gjyqtari për procedurën paraprake, “pasi dëgjoi të pandehurin Milan Radojiçiç për arsyet e caktimit të paraburgimit, hodhi poshtë propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për të caktuar paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes”.

“Në të njëjtën kohë, sipas të pandehurit Radojiçiç, i është caktuar masa e ndalimit për t’u larguar nga vendbanimi, e cila i ka ndaluar të largohet nga territori i Republikës së Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës, dhe është urdhëruar që çdo datë 1 dhe 15 të muajit të paraqitet në stacionin policor kompetent në stacion”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, nga kjo gjykatë kanë njoftuar se terroristit Radojiçiç, i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit, pra pasaporta e Serbisë, “ndërsa i pandehuri është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel ndalesat dhe detyrimet”.

Milan Radojiçiç në Banjë gjatë sulmeve terroriste ndaj Policisë së Kosovës.

Lirimi i tij vjen vetëm një ditë pasi që u arrestua nga Drejtoria e Policisë Kriminale në Serbi, ku i ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë – masë e cila nuk u zbatua.

Arrestimi dhe lirimi i kriminelit Radojiçiç, vjen pak ditë pasi që ai e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku si pasojë një polic mbeti i vrarë, heroi Afrim Bunjaku.

Radojiçiç, sipas njoftimit të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, akuzohet se ka kryer vepra penale që lidhen me “prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse” dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” të dënueshme deri 12 vjet heqje lirie sipas Kodit Penal të shtetit të Serbisë.

Armët janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit – më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, ndërsa më pas, ato armë sipas pretendimeve të tyre “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”.

Milan Radojiçiç – ish-nënkryetar i Listës Serbe, i dorëhequr së voni – kishte udhëhequr terroristët serbë më 24 shtator.

Për ta vërtetuar pjesëmarrjen e Radojiçiç-it, fillimisht Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte publikuar disa pamje të filmuara nga droni, ku vërehej qartë prezenca e tij në hapësirat e Manastirit të Banjës, para se të largohej për në Serbi.

Ndërsa, para disa ditëve, do të ishte edhe vet Radojiçiç që përmes një letre të lexuar nga avokati i tij, do të pranonte se kishte qenë në krye të terroristëve që sulmuan Policinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore