Kosova

“Ka shumë punëtorë mbi tokë, për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka” – Kurti ndan 4 milionë euro për pagat e minatorëve


Foto nga arkivi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë vendim që të ndahen mbi 4 milionë euro për ndërmarrjen publike “Trepça”, pasi sipas tij minatorët s’kanë arritur që të sigurojnë pagat e tyre.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mërkurën.

“Për ndërmarrjet publike do të ndajmë 4 milionë euro dedikuar për mbështetjen ndaj Trepçës, në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat. Duket se ka shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, ka thënë Kurti.

Është muaji i tretë me radhë që minatorët e kompleksit metalurgjik “Trepça”, nuk kanë arritur t’i marrin pagat, ndërsa të njëjtit vazhdojnë të grevojnë deri në momentin kur situata do t’i kthehet normalitetit.

Qeveria e Kosovës deri më tani s’kishte ndërmarrë asnjë hap konkret në këtë drejtim – përveç se kishte lëshuar një komunikatë për media ku thuhej se përkrahja financiare për ndërmarrjen “Trepça” varet nga zotimi se do të ulen shpenzimet dhe do rifillojë rritja e prodhimit.

Kurse, minatorët e Trepçës, të enjten, kanë paralajmëruar para Qeverisë së Kosovës, për shkak që tre muaj s’kanë marrë paga.

Në gjithë këtë situatë në “Trepçë”, ajo u komplikua edhe më shumë, kur gjykata vendosi që kryeshefi i emëruar për t’i zgjidhur problemet e “Trepçës”, Bashkim Kurti, doli se qysh nga janari kur u emërua pozitën e mbante ilegalisht, meqë nuk i plotësonte kushtet për atë pozitë.

Pastaj, me 2 gusht, Bordi i “Trepçës” njoftoi se në vend të Kurtit emërohet si ushtrues detyre i Kryeshefit, Faton Ahmeti, i cili kishte ushtruar padi ndaj Kurtit dhe gjykata i dha të drejtë në shkallën e parë.

Mos përmirësimi i kushteve të punëtorëve të Trepçës, ka dërguar në greva të njëpasnjëshme.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore