Sport

Ka paqe në Korçë, Skënderbeu dhe Partizani ndajnë pikët


Ka përfunduar sfida e parë e Abissnet Superiores për ditën e shtunë. Skënderbeu dhe Partizani nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 1-1.

Në Korçë u luajt ndeshja e parë e Skënderbeut si ekip pritës për këtë sezon. Partizani e kishte ndeshjen e dytë radhazi që ishte skuadër udhëtuese, në po kaq ndeshje të këtij sezoni.

Pjesa e parë e takimit përfundoi në barazim pa gola. Në pjesën e dytë do të ishte skuadra e Ilir Dajës që do të shënonte e para.

Stenio Junior shënoi golin e parë të takimit në minutën e 56. Braziliani u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11 metërshit.

Vetëm një minutë më vonë, Skënderbeu do të vendoste barazpeshën në ndeshje. Elvi Berisha ishte njeriu që vulosi shifrat përfundimtare të takimit në 1-1.

Pas dy ndeshjesh në Superiore për këtë sezon, të dy skuadrat kanë një pikë. Ndeshjen e parë e humbën, përkatësisht Skënderbeu ndaj Tiranës dhe Partizani ndaj Teutës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore