Kosova

Josep Borrell mund të largohet së shpejti, ashtu siç kishte paralajmëruar Albanian Post – zëvendësohet me Kaja Kallas


Njoftimi ekskluziv i Albanian Post nga burime ndërkombëtare se Josep Borrell mund të largohet nga pozita e tij si Përfaqësues i Lartë i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, publikuar me 22 nëntor të vitit 2022, mund të jetësohet menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit të këtij viti.

Mediumi amerikan Politico, edicioni për Evropën, ka publikuar një artikull të gjatë që flet për këtë largim eventual të Borrellit nga pozita aktuale dhe zëvendësimin e tij me Kaja Kallas, kryeministren aktuale të Estonisë.

Politico, nga burime brenda korridoreve të Brukselit zyrtar, njofton të ketë mësuar se është shumë e mundur që të ndodhë ky zëvendësim i Borrellit me Kallas, për pozitën e shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian.

Ashtu siç njoftonte Albanian Post në nëntor, ky largim i Borrellit nga pozita aktuale nuk ka të bëjë me çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por është brenda një ri-formatimi të përgjithshëm që pritet të bëhet në pozitat kyçe të Bashkimit Evropian.

Ekskluzive: Ka shumë mundësi që Borrell më s’do t’i udhëheqë bisedimet Kosovë-Serbi, fundi i shkurtit nuk ndryshon si afat për marrëveshje

Me ndryshimet e mundshme, të gjitha pozitat kyçe në BE do të jenë të udhëhequra nga gratë.

Gjermanja Ursula von der Leyen do të vazhdojë të qëndrojë si Presidente e Komisionit Evropian, maltezja Roberta Metsola do mbajë gjithashtu pozitën e saj në Parlament, por kryeministrja aktuale e Danimarkës, Matte Frederiksen, do të bëhet Presidente e Këshillit Evropian dhe Kaja Kallas shefe e BE-së për politika të Jashtme dhe të Sigurisë.

“Emri i Kallas po përmendet jashtëzakonisht shumë në bisedat në korridore dhe kafene të Brukselit, kjo edhe për shkak të një faktori të rëndësishëm: Gjeografisë. Kur tash ka luftë në Ukrainë, shumë liderë evropiano-lindorë besojnë se një nga pozitat kryesore të BE-së duhet të udhëhiqet nga një politikan i asaj ane”, shkruan Politico.

Edhe vetë Kallas kishte komentuar në këtë drejtim, duke deklaruar se “ne duhet të jemi në radar për një nga këto pozita kyçe”.

Emërimi i saj në këtë pozitë dhe rikonfigurimi i pozitave të tjera, do të mundësonte përfaqësim të katër anëve të Evropës brenda BE-së.

Në këtë skenar, Lindja do të përfaqësohej nga Kallas, Perëndimi nga Von der Leyen, Veriu nga Frederiksen dhe Jugu nga Metsola.

Ndërsa, nëse shtohet fakti se Bankën Qendrore Evropiane e udhëheqë Christine Lagarde dhe Bankën Evropiane për Investime nga Nadia Calvino, atëherë të gjitha pozitat kyçe brenda BE-së do të ishin të udhëhequra nga gratë.

Kush është Kaja Kallas?

Kallas është një ish-avokate, me bindje liberale, që për politikën nacionale në Estoni u bë e njohur kur u fut në parlament në vitin 2011 si pjesë e Partisë Reformatore.

Aty qwndrojw deri nw vitin 2014, derisa katër vitit e ardhshme ajo shërbeu si deputete në Parlamentin Evropian, për t’u kthyer më pas në vitin 2018 dhe marrë udhëheqjen e partisë.

Në vitin 2019 u kthyer sërish në parlamentin estonez, kurse nga viti 2021 është kryeministre e Estonisë, e para grua në këtë rol.

Kallas është takuar në disa raste me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe ka pasur deklarata tejet miqësore në raport me Kosovën.

Kurti e kishte takuar Kallas së pari në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, ku pati pranuar ftesë nga ajo për të realizuar një vizitë zyrtare në Estoni.

Kurti ftohet të vizitojë zyrtarisht Estoninë

Kryeministri kosovar e takoi më pas Kallas pikërisht gjatë kësaj vizite me 6 shtator të vitit të kaluar.

Kallas është përkrahës e fuqishme e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetëse e rrugëtimit evropian të Kosovës.

Kurti e Kallas u takuan gjatë kohës që po mbaheshin punimet e Samitit të Partneritetit për Qeverisje të Hapur.

Kurti me kryeministren e Estonisë, diskutojnë për situatën politike në Kosovë dhe rajon

Me kryeministren estoneze ishte takuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kur kishte vizituar këtë shtet në qershor të vitit 2021.

Estonia në vazhdimësi ka qenë mbështetëse e shtetit të Kosovës dhe ka ndihmuar në sektor të ndryshëm, sidomos në atë të teknologjisë, ku Estonia mbetet lider në digjitalizimin e administratës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore