Shqipëria

Jorgo Goro thirret në SPAK pas kallëzimit të Belerit


Përmes juristëve të tij, pak ditë më parë Alfed Beleri ka depozituar në SPAK në cilësinë e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë një kallëzim penal për abuzimet e konstatuara nga KLSH në vitet 2019 -2021.

Periudhë kjo, kur ky institucion drejtohej nga Jorgo Goro.

Goro, për këtë kallëzim, është thirrur këtë të enjte të 5 tetorit në SPAK, ku pritet të merret në pyetje nga prokurorët.

Goro vijon të jetë në detyrë, për shkak se Fredi Beleri nuk është betuar ende, edhe pse fitoi në zgjedhjet e 14 majit.

Kjo pasi është ne qeli për akuzën e blerjes së votave.

Dy ditë më parë, Gjykata e Posaçme ka caktuar 12 tetorin si datë për seancën e parë të procesit gjyqësor ndaj Belerit.

Dosja e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në ngarkim të tij do të shqyrtohet nga gjyqtari i posaçëm, Erjon Çela.

Kjo, pasi Prokuroria përfundoi hetimet dhe e dërgoi çështjen për gjykim me të pandehur edhe Pandeli Kokaveshin, ish-anëtar i shtabit të Fredi Belerit.

Më 14 shtator, Gjykata e Posaçme vendosi kalimin e dosjes për gjykim ndërkohë që Beleri ka kërkuar 6 herë zëvendësimin e masës arrest me burg me një masë më të lehtë, por është refuzuar nga gjykata.

Ai u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi ofroi 40 mijë lekë në këmbim të 8 votave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore