Muzikë

Joints-a gjithandej, pse po ekspozohet kaq shumë konsumimi i mariuhanës?


Figurat publike gjithmonë kanë pasur një ndikim të madh tek të rinjtë, por asnjëherë si në kohët e fundit, kur përmes platformave në rrjetet sociale ndërveprimi intensifikohet në një shkallë të paparamendueshme më parë.

Nisur që prej Instagramit, e deri tek TikTok, të famshmit janë bërë më shumë se thjesht ikona në ekran – ata janë figura të afërta dhe me ndikim që formojnë mendimet, opinionet dhe sjelljet e të rinjve.

Në këtë epokë digjitale, platformat e mediave sociale ofrojnë një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi midis Personave me Rëndësi për Publikun (VIP) dhe fansave të tyre.

Pavarësisht nëse është promovimi i një produkti të ri, shkëmbimi i përvojave personale ose mbrojtja e kauzave sociale, VIP-at të huaj, e vendorë përdorin platformat e tyre për t’u lidhur me ndjekësit e tyre në një nivel më të thellë.

Me aftësinë për t’u angazhuar dhe ndërvepruar menjëherë me audiencën e tyre, ata janë bërë një forcë shtytëse në formësimin e tendencave, besimeve dhe aspiratave.

Me ketë potencë influencuese, që mbase nganjëherë fuqia nuk i kuptohet as nga ata vetë, të famshmit mund të përcojnë edhe mesazhe problematike, jo duke bërë thirrje, por thjesht duke u sjellur në një mënyrë të caktuar.

S’është sekret, shumë të famshëm janë konsumues të lëndëve të ndryshme narkotike, por kohëve të fundit ky konsum është vizuelizuar aq shumë, saqë ka fillur të ngjajë si një mesazh me tendencë.

Shumë prej artistëve shqiptarë ngjan se kanë zgjedhur mënyrat e tyre për ta promovuar posaçërisht konsumin e marihuanës (kanabisit) – disa përmes këngëve, disa të tjerë përmes sekuencave në video klipe, e disa edhe duke e konsumuar ashiqare.

Një prej artisteve që me të madhe po e ekspozon pirjen e marihuanës është këngëtarja, Dafina Zeqiri.

Fotografi e publikuar nga Dafina Zeqiri në llogarinë e saj të Instagramit.

Dafina, e cila veç në Instagram numëron afro 2 milionë ndjekës, tash e sa kohë, ka nisur të publikojë imazhe në këtë platformë, derisa shihet duke “pirë” marihuanë.

Madje, promovimit të marihuanës, Dafina si tha “ndal” as kur ishte e ftuar në një intervistë me gazetarin, Berat Buzhala.

Të dy bashkë, Zeqiri e Buzhala, u panë duke e shijuar një ‘joint’ të mbushur me hashash dhe për më tepër, ata u siguruan që pamjet gjatë konsumimit të shpërndaheshin si pjesë e intervistës, aktualisht në YouTube intervista në fjalë numëron mbi 150 mijë shikime.

Dafina Zeqiri, Berat Buzhala.

Bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, neni 269 që ka të bëjë me posedimin e paautorizuar të substancave narkotike, psikotropike ose të substancave analoge, parasheh ndëshkime financiare dhe burgosje prej një deri në tre vjet për këdo që kapet me posedim të këtyre substancave.

Në një intervistë për Albanian Post, fenomenin e influencimit të pirjes së marihuanës, e cilëson si jo të duhur edhe avokati kosovar, Musa Damati.

“Promovimi i substancave narkotike nga figurat e publike apo të famshmit, patjetër se është një akt i dëmshëm, i shëmtuar dhe aspak i dobishëm për gjeneratat e reja”, thotë Damati.

“Mendoj se një materie e tillë duhet të rregullohet dhe të sanksionohet me legjislacion penal, duke marrë për bazë efektet e dëmshme që mund t’i shkaktojë tek grup moshat e reja”, ka shtuar ai.

Edhe në aspektin psikologjik ekspozimi i madh i lëndëve narkotike ndikon shumë, thotë edhe psikologu, Imri Zabeli.

“Ndër me të afektuarit janë fëmijët dhe adoleshentët, për shkak të fazave të formësimit në të cilat kalojnë. Modelimi i sjelljes është një nga format më të zakonshme tek të mësuarit, prandaj këto grup mosha, janë më të rrezikuarit nga modelimet e këqija të sjelljeve”, shton ai.

Veç tjerash, psikologu ka dhënë një ide që mbase do të kishte efekt kundër kësaj dukurie.

“Masat që ndërmerren dhe fuqia e mediave sociale, janë duke ecur në dispërputhje me njëra-tjetrën. Duhet bërë përpjekje për të vetëdijesuar shoqërinë kundrejt këtyre ndërmarrjeve sociale dhe efekteve në individë, familje dhe shoqëri”, përfundon Zabeli.

Një temë kaq aktuale, do të ishte e papërmbushur pa opinionin e njohësve të çështjeve kibernetike.

Eksperti i sigurisë kibernetike në Kosovë, Mentor Hoxhaj, thotë se një dukuri e tillë e promovimit të lëndëve narkotike përmes mediave sociale është fenomen, sanksionimi i të cilit bëhet nga prokurorët në vend, sepse nuk cilësohet si “krim kibernetik”.

“Jo vetëm figurat publike, në të gjitha rastet, kur kemi një person që në çfarëdo medie sociale shfaq veten duke kryer një aktivitet ilegal është detyrë e prokurorit të shtetit, sipas detyrës zyrtare, të marrë masa në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thotë Hoxhaj.

Por, si qëndron Kosova karshi monitorimit të mediave sociale dhe përmbajtjeve që ekspozohen brenda tyre?

“Sa i përket rrjete sociale, de-facto apo de-jure, në kuptimin e monitorimit klasik nuk mund të ketë një të tillë, sepse duhet t’i dallojmë këto media sociale – Facebook, Instagram, Snapchat që janë të bazuara në Amerikë, institucionet e Kosovës kanë deri dikund kontakt me to, dhe mund të ndikojnë në largimin e përmbajtjes e cila mund të jetë e dëmshme ose që është në kundërshtim me rregullat e rrjetit social”, thotë ai.

“Nëse flasim për rrjete sociale që janë me bazë jashtë Evropës, kryesisht Tik-Toku, realisht Republika e Kosovës nuk ka fare ndikim në to ose në heqjen e çfarëdo lloj përmbajtjeje që është në kundërshtim me legjislativin në fuqi”, shton ai.

Dikur, në Instagram dhe Facebook, dy prej rrjeteve sociale më të përdorura në vend, përdoruesit pezulloheshin nga qasja në llogaritë e tyre, nëse publikonin përmbajtje të papërshtatshme që nuk përkonin me politikat e tyre – por tani, gjërat kanë ndryshuar.

“Jo vetëm përmbajtjet me përdorimin dhe shitjen e narkotikëve, por edhe përmbajtje të tjera, janë shqetësuese, dhe këtë dukuri 99% rasteve e shihnim në TikTok. Por, kohëve të fundit, e njëjta mund të shihet edhe në rrjetet sociale, Facebook e Instagram, ku më parë në të kaluarën nuk kanë mundur të depërtojnë brenda tyre – mesa duket për shkak të ndikimit të madh të Tik-Tokut në audiencë bashkë më përmbajtjet e pacensuruara”, përfundon Hoxhaj.

Mirë ose keq, korrekt apo gabim – yjet tona po e vazhdojnë trendin e tyre, pa iu bërë vonë për qindra mijëra ndjekësit e mitur.

Më poshtë mund të gjeni vetëm 10 prej dhjetëra këngëve të artistëve shqiptarë kushtuar marihuanës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore