Financa

Johnson pritet të rrisë sigurimet kombëtare për të paguar për reformën e kujdesit social


Sipas raportimeve, një rritje e taksave në Mbretërinë e Bashkuar në formën e një rritjeje të sigurimeve kombëtare është në prag të një ndarjeje të kabinetit mbi mënyrën e pagesës për reformat e shumëpritura të kujdesit social të qeverisë.

Gazeta “The Times” ka treguar se Sajid Javid ka ushtruar presion për një rritje prej dy për qind, duke thënë se 10 miliardë paund të mbledhura nga një rritje prej një për qind nuk janë të mjaftueshme.

Ndërkohë, “Daily Telegraph”, ka paralajmëruar se Thesari po kërkon një rritje prej 1.25 për qind që do të prekte 25 milionë njerëz dhe gjithashtu ka zbuluar se njoftimi mund të vijë javën e ardhshme.

Mirëpo, secila rritje e sigurimeve kombëtare pritet të përballet me kritika pasi ka të ngjarë të godasë në mënyrë disproporcionale miliona të rinj dhe do të ishte një shkelje e qartë e premtimit të manifestit të zgjedhjeve konservatore të vitit 2019 mbi taksën, ka shkruar “The Independent”.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, është përballur me presion në rritje për të ofruar detaje mbi planin e tij për reformën e kujdesit social, të cilin ai ka treguar se ishte gati kur fliste në shkallët e Downing Street në vitin 2019.

Konservatorët, në zgjedhjet e vitit 2019, u zotuan në manifestin e tyre që të mos rrisnin normën e tatimit mbi të ardhurat, TVSH-në ose sigurimin kombëtar.

Megjithatë, vitet kaluan dhe ideja e rritjes së sigurimit kombëtar u shfaq në fillim të këtij viti.

Sekretari i Biznesit, Kwasi Kwarteng, kur u pyet nga “Sky News” në muajin korrik nëse nuk mund të ketë rritje të sigurimit kombëtar, ai ka thënë se “kjo është ajo që thuhet në manifest, unë nuk shoh se si mund ta rrisim sigurimin kombëtar”.

Ai ka shtuar se “ju e dini që gjërat kanë qenë shumë fleksibël gjatë 18 muajve të fundit, ne kemi kaluar një kohë ndryshe, ne kemi shpenzuar shuma të mëdha parash që kurrë nuk e kishim menduar se ishin të mundshme dhe varet nga Kancelari dhe Thesari, si dhe qeveria më e gjerë, për të vendosur një buxhet”.

“The Independent” shkruan se raportohet që Johnson, Kancelari Rishi Sunak dhe Sekretari i Shëndetësisë Sajid Javid, janë tre lojtarët kryesorë të përfshirë në vendim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore