Sport

Joan Laporta flet rreth “shqetësimeve” të tij


Joan Laporta u rikthye si president i Barcelona-s gjatë muajit mars të këtij viti.

59-vjeçari u kthye duke zëvendësuar presidentin e sapo shkarkuar nga klubi, Josep Maria Bartomeu.

Laporta erdhi me plane të mëdha, por problemet e mëdha financiare i ndaluan të gjitha planet e tij, madje edhe e panë klubin katalunas tek humbiste Lionel Messi-n pas dy dekadash.

Në një konferencë për shtyp, Laporta foli rreth problemeve të mëdha që klubi i tij po kalon, Neymar-it, Griezmann-it dhe projektit të Superligës Evropiane.

“Askush nuk deshi të arrinim në këtë pikë ku jemi”, u shpreh ai.

“Ishte shumë e dhimbshme”, tha Laporta për Messi-n, “e pash debutimin e tij te PSG dhe ishte e dhimbshme që ta shoh me një fanellë tjetër”.

“Është ndjenjë e çuditshme, nuk më pëlqen ta shohë atë me një fanellë tjetër”.

“Nuk ishte ky fundi që dëshironim për Messi-n te Barcelona”.

“Por”, vazhdoi ai, “jemi mirënjohës për çdo gjë që ai ka bërë për këtë klub”.

Ai zbuloi se “përkundër shitjeve të shumta, ishte e pamundur që të regjistrohej Messi”.

Sa i përket Griezmann-it, Laporta thotë se ai nuk është “futbollist i cili përshtatet me sistemin e klubit”.

“Griezmann duhet të luajë 50% të ndeshjeve me Atletico-n që huazimi të bëhet i detyruar”.

Laporta për të gjithë tifozët premtoi se vera e ardhshme do ta shohë klubin tek synon emra prestigjioz në merkato.

Sa i përket Superligës, ai shprehet se “projekti është ende gjallë”.

“Shumë skuadra na thonë që të vazhdojmë sepse Superliga është e ardhmja. Edhe klubet angleze e duan këtë gjë, por ato kanë shumë presion nga jashtë”.

Ai thotë se në mënyrë që Superliga të jetë e mundur, ata do ta hapin si ligë, në mënyrë që të gjithë të luftojnë për kualifikim në të.

Për fund, ai zbuloi një gjë shumë interesante.

“Neymar deshi të vinte këtë verë te Barcelona, ne provuam ta transferonim, por ishte e pamundur”.

Braziliani më në fund u ribashkua me Messi-n, por te Paris-i, jo te Barcelona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore