Shqipëria

Jo vetëm Lekun, shqiptarët tani kanë edhe një tjetër valutë


Paraja po vjetërohet. Po bëhet e papërdorshme. Ndërsa banka, e panevojshme.

Ky është rrëfimi i profetëve të një bote të re – asaj të parasë virtuale.

Qëllimi është që ngrehina e tyre moderne të bëhet strehë e të gjithëve.

Pra, që paranë të mos e kemi më nëpër duar, as në bankë. Por, në 0 dhe 1 të kompjuterëve.

Dy trilionë dollarë veçse janë shndërruar në të tillë. Kaq është madhësia e tregut të kriptomonedhave.

Disa dhjetra, e pothuaj qindra milionë, janë të shqiptarëve.

Por, përveç investimit në blerje, është investuar edhe në krijimin e një valute të tillë shqiptare.

Një kriptmonedhë, e cila do të do të përdoret në të ardhmen për transaksione të aseteve digjitale. Ky është qëllimi i KosovaCoin (KS).

Për Albanian Post (AP), krijuesi i kriptomonedhës kosovare, KosovaCoin, Artit Muhaxhiri, thotë se “teknologjia e botës po ndryshon çdo ditë. Sot ka qindra kriptomonedha dhe monedha të hedhura në treg. Përse jo edhe një me emrin KosovaCoin (KS)”.

Në vijim, ai thekson se kanë si vizion që monedha e tyre “të përdoret si monedhë digjitale në të gjithë Kosovën”.

Po ashtu, vazhdon ai, përmes KosovaCoin “mund të kontribuojmë që, vendet si Kosova apo Shqipëria, të rriten jashtëzakonisht shumë ekonomikisht”.

Nga lindi ideja dhe pse pikërisht KosovaCoin?

Gjatë bisedës, Muhaxhiri rrëfen edhe pse pikërisht vendosën që ta quanin “KosovaCoin”.

“Gjithçka lindi si ide për të promovuar shtetin e Kosovës në botën e kriptovalutave”.

Sipas tij, kjo është e ardhmja optimiste e shkëmbimeve të mallrave dhe shërbimeve, të cilat do të kryhet me anë të kriptovalutave.

Ai thotë se paratë Fiat (sistemi i parave që përdoret sot) “do të vjetrohen gjatë pesë dekadave të ardhshme”.

Në vijim të bisedës me AP-në, krijuesi i kriptomonedhës kosovare ka rrëfyer se, teksa po ndiqte kriptomonedhat e tjera, vuri re se shumë shqiptarë ishin të interesuar në këtë fushë.

Mundësi shkëmbimesh

Duke krijuar kriptovalutën e parë kosovare, ai është shprehur se shqiptarët, si të Shqipërisë, ashtu edhe të Kosovës, kanë mundësi të shkëmbejnë mes njëri-tjetrit me kriptovalutat e tyre.

“Krijimi mori dy muaj kohë, deri në finalizimin e gjithë projektit, ndërsa procesi i krijimit ka qenë mjaft i komplikuar, pasi kohë merr krijimi i kodeve”.

Ndërkohë që AlbCoin (kriptomonedha e krijuar në Shqipëri) ka mbi një vit në tregun online dhe vepron në rrjetin e Ethereum dhe xDai, KosovaCoin ka vetëm një muaj në treg.

Ashtu si AlbCoin edhe KosovaCoin është monedhë DeFi, çka do të thotë që nuk kontrollohet nga ndonjë institucion qendror rregullues.

“KosovaCoin është e drejtuar 100% nga komuniteti. Nisur nga kjo, ne synojmë të shmangim çdo qasje të hershme dhe t’u sigurojmë investitorëve tanë siguri dhe transparencë”.

Kjo kriptomonedhë, shprehet krijuesi i saj, është një aset, e cila u jep mundësinë përdoruesve transaksione të shpejta dhe me tarifa të ulëta.

“Qëllimi ynë është të sigurojmë mbajtësin e sigurisë dhe të marrim tarifa të ulëta transaksioni. Vetëm 1%”, është shprehur Muhaxhiri.

Plani afatgjatë i ekipit, prej katër vetave që fshihen mbas KosovaCoin-it, është që ajo “të përdoret fillimisht në bizneset shqiptare dhe më pas në ato botërore”.

Kjo, shpjegon ai, “sepse e gjithë bota do të na njihte dhe shumë investitorë të huaj do të vinin të investonin nëse do të shihnin që ne arrijmë të punojmë me kriptovaluta”.

Përveç gjuhës, prejardhjes dhe shumë e shumë vlerave të përbashkëta që Shqipëria ka me Kosovën, ka ardhur momenti që këto dy vende të ecin së bashku edhe në botën e kriptomonedhave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore