Gatimi

“Jo veç vaj ulliri, por edhe aceto balsamiko përdorin kosovarët” – kuzhinieri nga Kosova komenton diferencat mes kulinarive në dy anët e kufirit


Vaj ulliri

Deklarata e gazetarit Bledi Mane në kuadër të një emisioni në Top Channel, mbi kulinarinë në Kosovë, ka shkaktuar mjaft debate në të dyja anët e kufirit.

Në një bisedë e sipër me gazetarin nga Kosova, Milaim Zeka, mbi turizmin në trevat shqipfolëse, Mane tha se “Kosova nuk ofron asgjë”.

“Ju jeni vendi që nuk përdorni vajin e ullirit, të lutem, duhet ndërgjegjësim, ju s’keni kulinari, ju jeni te pleskavica dhe te lakra”, është shprehur Mane.

E për këtë, Afrim Avdyli, i cili ka mbi 20 vite që ushtron profesionin e kuzhinierit në restorantet dhe hotelet ndërkombëtare me 5 yje, nuk ndanë të njëjtin mendim.

“Emisionin se kam pa por, mbi 22 vite që punoj nëpër hotele me 5 yje, gjithmonë e kemi përdorë vajin e ullirit në gatime, po ashtu edhe në shtëpinë time përveç vajit të ullirit përdoret edhe aceto balsamiko”.

Afrim Avdyli, shef i kuzhinës

Sa i përket dallimeve mes kulinarisë kosovare dhe asaj shqiptare, Avdyli thotë se Shqipëria mund të jetë pak më e avancuar, megjithatë nuk është se vëren shumë dallime.

“Sa i përket kuzhinës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë mendoj se ka shumë pak dallime, në Shqipëri përdoret më shumë peshku se te ne në Kosove edhe pse edhe te ne tash përdoren mirepo prapë mishi konsumohet më shumë”, shpjegon Avdyli.

Sipas tij, deklarata e Manes, nuk ka kuptim pasi që në Kosovë mund të gjesh cilësi të lartë në restorantet vendore.

“Ka shumë restorante të mira në Kosovë që gatuajnë mish cilësor, po ashtu edhe peshk, unë sadopak jam munduar të kontribuoj në gastronominë kosovare me gatime të ndryshme tradicionale dhe internacionale”.

Nuk është hera e parë që një temë, në dukje krejt banale, prodhon debat të ashpër mes shqiptarëve në Kosovë dhe atyre në Shqipëri.

Mjafton kushdo që okupon hapësirë publike të lëshojë një deklarim që kuptohet si ofendim, apo konstatim me konotacion negativ dhe të gjithë përfshihen në debat.

Madje, gazetari që bëri komentin tha se po pranon qindra kërcënime për deklarimin e tij.

Përndryshe, në Kosovë u organizuan debate në emisione prime time për të diskutuar rreth cilësisë së kuzhinave dhe llojeve të vajrave të përdorur në gatime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore