Kosova

Jo veç shkarkim, Liburn Aliu duhet të hetohet për thyerje të rendit kushtetues – thonë ekspertët


Ilustrm: Liburn Aliu

Meqë posti i ministrit përbën autoritet publik dhe deklarata e thënë nga ky pozicion reprezenton qëndrim të autoriteteve publike, atëherë deklarata e ministrit Librun Aliu se “Kosova është projekt i përkohshëm” dhe se ai është “ministër i një qeverie të një shteti të përkohshëm”, përveç se obligon shkarkimin e tij, mundëson edhe ndjekjen ligjore për thyerje të rendit kushtetuese të Kosovës.

Deklarata dhe shprehje të dëshirave për bashkim kombëtar të shqiptarëve të Kosovës me ata të Shqipërisë në një shtet mund të paraqiten nga qytetarë, aktivistë politik e madje edhe të angazhuar politikë, por assesi nga një person i cili zyrtarisht mban pozitë shtetërore dhe betohet se do ta respektojë shtetin dhe Kushtetutën e shtetit, i kanë thënë Albanian Post-it njohës të të drejtës Kushtetuese të Kosovës.

Ish-këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Durime Berisha, përmes një postimi në platformën sociale, Facebook, ka kërkuar që ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, të veprojë pas deklaratës së ministrit, Aliu.

“E përkohshme është vetëm mundësia e Liburn Aliut dhe Hysen Durmishit me e vjedhë paranë e popullit. Ndërsa budallaku dhe poshtërsia e tyre e përhershme. Deklarata për zhbërje të rendit kushtetues duhet ndjekur penalisht. Blerim Isufaj topin në penalti e ki”, ka shkruar ai.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, në një paraqitje televizive në Televizionin 7 ka artikuluar një deklaratë, që ngjalli shumë reagime.

Sipas Aliut, Kosova është një projekt i përkohshëm, duke iu referuar aspiratës për bashkim me Shqipërinë.

“Unë e shoh sot Kosovën më shumë si një projekt i përkohshëm. Cilat janë elementet që sot përpiqen për ta krijuar kombin kosovar? Sipas Kushtetutës Kosova është e një vendi multi-etnik. Çfarë është kosovari, a është kosovari shqiptar apo diçka tjetër, nëse do të krijonim një komb që do të synonte një përzierje të etnive nuk e di sa do të ketë sukses, dhe nuk është duke pasur sukses”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore