Kosova

Jep dorëheqje këshilltari serb i Kurtit, Petar Miletiç: S’jam pyetur për asgjë


Petar Miletiç

Petar Miletiç, ka dhënë dorëheqje nga pozita e këshilltarit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Për këtë ka raportuar rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”, teksa kanë publikuar edhe letrën që Miletiç ia ka dërguar Kurtit.

“Me këtë letër dua t’ju njoftoj se nga sot nuk jam formalisht këshilltar i jashtëm politik i Kryeministrit të Kosovës”, thuhet fillimisht në letër.

Ai pohon se në fillim të këtij viti e ka kuptuar se roli i tij si këshilltar i jashtëm “nuk do të ishte i rëndësishëm dhe më vonë nuk do të ishte funksional sa i përket ndihmës së serbëve në Kosovë”.

E thënë thjesht, pohoi ai, “nuk jam pyetur dhe as konsultuar për asnjë vendim të Kryeministrit apo të Qeverisë”.

“E kisha të qartë se nuk do të konsultohesha për çështje të rëndësishme politike as në muajt e parë të (sh)angazhimit tim”, shtoi.

Tutje, ai pohoi se ngjarjet dhe temat u rregulluan pranë tij, dhe dëshmia më e qartë se kjo qeveri “nuk dëshiron asnjë kontakt me serbët ishte mos emërimi i drejtorit të zyrës për komunitete në kryeministri”.

“Pa marrë parasysh insistimin e aktorëve të brendshëm dhe ndërkombëtar (nuk është emëruar as sot e kësaj dite), si dhe uljen e buxhetit të asaj zyre nga një milion e treqind mijë në pesëqind mijë euro”.

Duke kuptuar, potencon ai, se roli i tij nuk do të ndikojë asgjë në çështjet e rëndësishme politike si dialogu Beograd-Prishtinë, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, kriza në Veri të Kosovës, “së bashku me kolegen Elizabeth Gowing dhe një grup serbësh nga shoqëria civile, identifikuam pesëmbëdhjetë probleme të përditshme që mund të zgjidheshin lehtësisht”.

“Sipas vlerësimit tim të lirë, 90 për qind e atyre problemeve mund të zgjidheshin brenda pak ditësh nëse do të ekzistonte vullneti politik i Qeverisë. Megjithëse kolegia Goëing bëri një përpjekje të madhe, asgjë nga këto nuk ndodhi”.

“Dua të veçoj një moment më të rëndësishëm, që është ndarja e mjeteve nga Kryeministria për komunitetet”, potencoi ai, shqetësim që e kishte ngritur, madje kishte dhënë dorëheqje nga puna në Zyrën për Çështje të Komuniteteve, Gowing.

“Pothuajse të gjitha paratë iu dhanë organizatave joqeveritare shqiptare, që do të thosha është kulmi i hipokrizisë, pafytyrësisë dhe arrogancës”.

Në letrën e tij drejtuar Kurtit, ai shton se në kuptimin politik, “gjatë vitit 2023 e keni kaluar thellë kufirin nga i cili nuk ka kthim prapa në marrëdhëniet me komunitetin serb në Kosovë”.

“Deklaratat tuaja se keni problem me Beogradin dhe jo me serbët e Kosovës, thjesht nuk janë të vërteta, për të mos përdorur një term më të ashpër. Dërgimi i forcave speciale në Veri, arrestimi i njerëzve të pafajshëm (disa prej tyre që unë personalisht i di se janë të pafajshëm, njëri prej të cilëve u arrestua dje është në gjendje shumë të rëndë), dhuna institucionale ndaj serbëve nuk janë akte kundër Beogradit, por ndaj fqinjëve dhe qytetarëve tuaj të Kosovës, dhe që çështja të jetë më e keqe, një sjellje e tillë antiserbe u derdh në rrugë dhe në shoqëri, për fat të mirë jo në mbarë shoqërinë kosovare”, vazhdon letra.

Tutje, Miletiç i ka shkruar Kurtit se “fatkeqësisht”, me serbët e Kosovës “nuk mund të vendosni më as marrëdhënie normale dhe pa bashkëjetesën e shqiptarëve dhe serbëve nuk ka asnjë shans për përparimin e Kosovës e as të rajonit”.

Ndërsa, ka potencuar se dëshiron të theksojë se vendimi i tij nuk është marrë nën presionin e askujt.

“Do të doja të thoja që po jap dorëheqjen, por kjo do të ishte pretencioze, sepse nuk kam nga çfarë të jap dorëheqjen”.

Andaj, vazhdon ai, konsideroni se nga sot, “siç thashë në hyrje, as formalisht nuk jam këshilltar i jashtëm politik i kryeministrit të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore