Lajme

Jasharaj për Qeverinë: Nëse do të kishte vullnet nga ta, çështja do të kryhej brenda një dite


Ilustrim: Rrahman Jasharaj dhe Albin Kurti.

Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se nuk ka parë as dëshirë e as vullnet nga Qeveria që të bisedojë me gresvistët.

“Ne nuk po shkelim të drejta të askujt por nuk është mirë të tentohet në opinion se po shkelen të drejtat e dikujt. Grevën e kemi përdorur pas 9 muajve, qeveria s’e ka bërë asnjë angazhim por vetëm me fyerje”, ka deklaruar Jasharaj.

Ai ka shprehur gatishmërinë për të biseduar me ekzekutivin por vetëm nëse do të merrte ftesë nga ta.

“Ne jemi të gatshëm të bisedojmë me qeverinë nëse ata na thërrasin. Po pati dëshirë dhe vullnet, çështja do të kryhej brenda një dite”, tha ai në konferencë për media.

Sipas tij, Qeveria ka pasur kohë t’i mbrojë të drejtat e fëmijëve.

“Të drejtat e fëmijëve po e shkel qeveria e cila nuk po ulet të bisedojë me ne. I ka pasë 9 muaj kohë që t’i mbrojë të drejtat e fëmijëve”.

Foto: Albanian Post.

Në konferencë për media mori pjesë edhe kryetari i SPASH-it, Nevrus Kaptelli i cili i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që të bëjnë zgjidhje për kërkesat e këtyre të fundit.

“Sot jam këtu për të mbështetur vëllezërit tanë të SBASHK-ut në grevën që kanë nisur për të realizuar ato kërkesa që ne i vlerësojmë të drejta”.

“Ju bëj thirrje ministres së Arsimit dhe kryeministrit që të ulen në tavolinën e bisedimeve dhe të flasin për kërkesat e SBASHK-ut, sepse nuk ka asnjë rrugë tjetër. Një qeveri e përgjegjshme duhet që së pari të vlerësojë sindikatat e mësuesve. Të gjithë ne jemi produkt i mendjes dhe punës së mësuesve”.

Madje sipas Kaptellit, buxheti për arsim në Kosovë duhet të rritet.

“Nëse Qeveria do që Kosova të zhvillohet duhet të vlerësojë maksimalisht arsimin, pra më shumë buxhet për arsimin dhe paga më të lartë për mësimdhënësit”.

Jasharaj nuk zmbrapset as pas takimit me Osmanin

Në anën tjetër Jasharaj, pas takimit me presidenten e vendit Vjosa Osmani, ka thënë se greva do të vazhdojë nëse qeveria nuk jep nga 100 euro në muaj deri kur të bëhet ligji i pagave.

“Qeveria duhet të ulet dhe të bisedojë me ne për realizimin e kërkesave tona, pra 100 euro çdo muaj deri kur të bëhet ligji i pagave”, ka thënë Jasharaj në konferencën për medie.

Ai tha se takimi me Osmanin ishte pozitiv dhe se asaj i kërkoi të ndikojë te qeveria që bashkërisht të ulen dhe të diskutojnë për të gjetur zgjidhje.

“Problemi deri këtu ka ardhur në mungesë të dialogut me Qeverinë e Kosovës. Ne e lutem presidenten që ta shfrytëzojë pozitivisht autoritetin e saj, të ndikojë që sot, që nesër të ulemi me përfaqësuesit e qeverisë ngase i thamë edhe asaj, pakoja me 50 euro nuk është realizim i kërkesave tona”.

Jasharaj tha se uron që shembullin e presidentes ta ndjekë edhe qeveria.

“E morëm mbështetjen për ligjin për skemat pensionale. Uroj që shembullin e presidentes ta marrin edhe kryeministri e ministrat që sot, që nesër të ulemi të bëjmë zgjidhje. 100 euro deri në ligjin për paga, ose greva do të vazhdojë”, ka thënë ai.

“Presidentja edhe në bazë të autorizimit, nuk mund të merret drejtpërdrejt me kërkesat tona, por i kërkuam të fillojë me angazhimet dhe ta orientojë kërkesën nga pala tjetër, ne jemi për dialog dhe tash e sa muaj kemi pritur për dialog. Kërkuam nga ajo që t’i lusë e ti nxisë që të ulemi që të bëjmë zgjidhje”, shtoi ai.

Ndryshe, 25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove.

Më 5 shtator, Ministria e Financave dhe Transfereve e Kosovës tha se ka ekzekutuar pagat për muajin gusht për punëtorët që janë në grevë, duke shtuar se të njëjtëve duhet t’iu pezullohen kontratat e punës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore