Lajme

Jasharaj paralajmëron një formë tjetër greve në Arsim


Rrahman Jasharaj

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar mundësinë e një greve të radhës nga ana e mësimdhënësve në muajt e ardhshëm.

Por, ndryshe nga herët e kaluara, greva, sipas tij, do të ketë një karakter tjetër – grevë e heshtur, që nënkupton mungesën e vullnetit te mësimdhënësit për shkak të pakënaqësive me Ligjin e Pagave.

“‘Grevë të heshtur’ e kam quajtur kur mësimdhënësit dhe punëtorët tjerë në tërë sektorin publik janë të pakënaqur dhe nuk japin kontributin e duhur. ‘Grevë e heshtur’ në arsim nënkupton kur mësimdhënësit i humbin disa minuta para orës mësimore dhe hynë në debatet që hapen në sallat e arsimtarëve për pakënaqësi që nuk gjejnë zgjidhje, kryesisht në rastin konkret kur kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci as që duan të takohen me ne e të dëgjojnë hallet tona”, ka thënë Jashari në një intervistë për Ekonomia Online.

Ndonëse vlera e koeficientit është ngritur për sektorin e arsimit, sipas Jasharajt, kjo shumë nuk është e mjaftueshme.

“Si rast më konkret i një rreziku për grevë të heshtur është pakënaqësia tejet e madhe, në arsim, polici, zjarrfikës me rastin e koeficientit nga 105 në 110 që është ironike”, deklaroi Jasharaj, duke thënë se paga këtë vit është ngritur vetëm 28 euro”.

Duke folur për largimin e mësimdhënësve nga Kosova, Jasharaj, ka potencuar se trendi i largimit të tyre është i madh dhe numri po rritet çdo ditë.

“Ne nuk kemi shifra të sakta sepse nuk jemi marrë drejtpërdrejt me këtë çështje, por në komuna e dinë dhe të iu them se ne kur e morëm numrin prej 300 e që po rriten, kemi pritur që Drejtoria Komunale e Arsimit e MASHTI-it do kenë takime urgjente për të parë çka e pse po ndodh kur dihet se vitet e kaluara numri i atyre që kanë kërkuar pushim pa pagesë ka qenë minimal”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore