Kosova

Jasharaj: Mësuesit janë në pritje të pagave në pjesën e dytë të ditës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

“Më 5 tetor miliona mësues të botës kremtojnë ditën e tyre dhe blejnë ndonjë dhuratë e ca gjësende për të festuar, ndërsa punëtorët e arsimit në Kosovë festojnë të dëshpëruar e pa pagat deri në këtë moment kur po shkruaj këtë shkrim”.

Kështu thuhet në letrën e kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jasharaj, dërguar mediave.

Ai tutje ka thënë se mësuesit të cilët ishin në grevë që nga 25 gushti janë në pritje të pagave.

“Punëtorët e arsimit janë në pritjen e arsyeshme, që bile në pjesën e dytë të ditës së madhe të 5 tetorit, Ditës ndërkombëtare të mësuesit, të marrin pagat e të blejnë ndonjë dhuratë modeste e ta festojnë këtë ditë të madhe, por nëse kjo nuk ndodh, jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe gjithë bota do ta kuptojë se Qeveria po sjell mesazhe pikëllimi për mësuesin e Kosovës edhe në këtë ditë të madhe të mësuesit kudo në botë”.

Qeveria nuk i ka ekzekutuar pagat duke u arsyetuar në nenin 18 të Ligjit për paga që parasheh që “gjatë zhvillimit të grevës, të pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke e përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”.

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Konfirimi i ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci se nuk do të ketë pagë për grevistët, po i shtyn punonjësit e arsimit që ta mendojnë rikthimin e grevës.

Kështu thotë Hanife Salihu, nga Këshilli Grevist  i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në një bisedë për Albanian Post.

“Për mosekzekutimin e pagave do të konsultohemi me anëtarësinë se a do të kthehemi në grevë, të ju kujtoj edhe një herë që ne vetem e kemi pezulluar grevën nuk e kemi ndaluar”, thotë Salihu për AP.

SBASHK-u, në asnjë mënyrë nuk do të pajtohet me vendimin e fundit të Qeverisë të njëjtit paralajmërojnë edhe kallëzim penal ndaj ministrit Murati.

“Ne një asnjë variant nuk pajtohemi. Jo vetëm që nuk pajtohemi, por është kundër aktit ligjor vendimi që janë duke e ndërmarrë Ministria e Financave dhe Qeveria. Për muajin e kaluar kemi ngritur kallëzim penal për ministrin Hekuran Murati dhe sërish do të ngrisim nëse nuk vazhdon procesi i ekzekutimit të pagave”.

“Në asnjë variant nuk pranojmë që të ndëshkohen mësimdhënësit ngase është edhe shkelje e të drejtave të njeriut mos pagesa e punëtorëve arsimor”, u shpreh tutje Salihu.

Pas një muaj grevë të hënën e 3 tetorit ka nisur viti i ri shkollor në të gjitha institucionet arsimore publike në Kosovë.

Sindikalistët morën vendim që grevën e nisur që nga 25 gushti të e pezullojnë deri në janarin e 2023-së.

Nga 21 mijë e 516 anëtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që votuan, 55.88 për qind janë deklaruar pro propozimit të kryesisë së sindikatës që të ndërpritet greva.

Përveç punëtorëve të arsimit, që nga 25 gushti në grevë ishin edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.

Partitë opozitare dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin për grevën e mësimdhënies në sektorin publik.

Këshilli grevist po kërkonte që paga e mësimdhënësve të rritet prej 100 euro, derisa ta themelojë qeveria Ligjin e Vonuar të pagave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore