Lajme

Jansha: Në BE ka oportunistë që “Ballkanin Perëndimor” e shohin vetëm si “fuqi punëtore të lirë”


Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha

Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ka thënë se gjatë presidencës sllovene të Bashkimit Evropian kanë arritur të rikthejnë në fjalor termin “perspektivë e anëtarësimit” për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropën Lindore, por se ende ka oportunistë brenda BE-së që rajonin e shohin thjesht si “fuqi punëtore të lirë”, dhe rrjedhimisht, eksploatim të saj.

“Njëra nga sukseset strategjike tona”, konsideron kryeministri slloven, “është kthimi në tryezën e bisedimeve anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE”.

Në një intervistë dhënë për televizionin publik slloven, ai tha se për Bashkimin Evropian është e qartë se i duhet strategjia e zgjerimit.

“Nëse BE nuk zgjerohet, dikush tjetër do ta bëjë”.

“Ukraina dhe Serbia kanë perspektivë evropiane sepse janë në Evropë dhe do qëndrojnë gjithmonë atje, por atyre u duhet perspektiva e anëtarësimit. Kjo gjë ishte e vështirë të shkruhej në dokumente, dhe kërkohej të luftoje për të”, tha ai.

Sipas tij, “kur është puna te Ballkani Perëndimor, shfaqen shumë oportunistë në skenë”.

“Një nga liderët e BE-së, nuk do t’ia përmend emrin, madje në një debat tha se: pse t’i fusim brenda BE-së kur ata janë forcë punëtore aq e lirë?”, tregon Jansha.

Ai tha se ekziston mendjengushtësi dhe interesa nacionale në strukturat udhëheqëse evropiane, dhe se këto interesa brenda BE-së mbizotërojnë ndaj vizioneve të një Evrope të lirë, paqësore dhe të bashkuar.

“Projekti evropian ende është i papërfunduar, dhe shumë vende që dëshirojnë të jenë anëtare të BE-së ende nuk janë të lira. Ai projekt duhe të vazhdojë, dhe zgjerimi është element thelbësor”, ka deklaruar Jansha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore