Lajme

Janjiç për vrasjen e policit në Veri: Akt terrorist


Dushan Janjiç

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Serbi, Dushan Janjiç, ka thënë se sulmi ndaj njësisë së Policisë së Kosovës nga grupet kriminale në Veri, ku si pasojë një polic mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos, “është sulm terrorist”.

Në një prononcim për rrjetin ballkanik të lajmeve “N1”, Janjiç ka deklaruar se kjo është një ngjarje që “mund të shkaktojë konflikte më të gjëra”.

“Është shumë e rëndësishme të vërtetohen të gjitha faktet”, pohoi Janjiç.

Siç theksoi ai, ky është një akt terrorist sepse janë sulmuar zyrtarë të një shteti.

“Nëse kjo ngjarje kthehet në një ngjarje më të gjerë”, mendon ai, “nëse nuk është vetëm një akt i izoluar terrorist me motive kriminale, do të përballemi me çështjen e besueshmërisë së bashkësisë ndërkombëtare”.

Veri: Një kriminel i vrarë deri më tani, konfirmon Polica e Kosovës

Si ndodhi ngjarja?

Policia e Kosovës, në orët e pas natës me një njoftim zyrtar ka shpjeguar se si ndodhi ngjarja e rëndë ku mbeti i vdekur një polic dhe dy tjetrë të plagosur.

Policia ka thënë se gjatë realizimit të detyrave policore, rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhej, pasi e njëjta është bllokuar.

Njësitë e rendit në Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit.

Sa kanë mbërritur në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

Policët janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

“Të gjitha njësitë policore relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura”.

Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, po ndërmerr veprimet e saja me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore