Lajme

Janez Jasha përfshihet ne rastin e Martin Berishajt e Robert Golob: Po pres hetim nga parlamenti


Foto nga Albanian Post

Ish-kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ka shpërndarë artikullin e Albanian Post “Të rejat e fundit për rastin e Martin Bershajt dhe Robert Golobit: Bëhet fjalë për gati 100 milionë euro”, duke kërkuar që Parlamenti i Sllovenisë të fillojë sa më parë hetimin e këtij rasti.

Ai ka shkruar në llogarinë e tij në Tëitter se “jemi ende në pritje (që nga maji) për 3 nënshkrimet e premtuara” nga partia Nova Slovenija e cila udhëhiqet nga Matej Tonin, “për ngritjen e një komisioni parlamentar për të hetuar dyshimet flagrante nga të dhënat e mëposhtme”.

 

Sipas Janshas, tashmë nuk ka besim në policinë sllovene meqë atje ka të emëruar persona që i binden kryeministrit aktual slloven dhe rivalit të Janshës, Robert Golob.

“Policia sllovene nuk mund ta bëjë këtë (hetim). Golob emëroi Darko Muzheniç-in për të penguar hetimet”, shkroi ai.

Albanian Post të hënën publikoi lajmin e fundit në sagën e Martin Berishajt, ambasadorit të Kosovës në Kroaci, i cili e ka pranuar edhe vetë se është paguar nga kompania energjetike GEN-I dega në Beograd për konsulencë.

Media sllovene Prava me 9 janar publikoi një hulumtim tjetër të këtij rasti, të cilët përmes qasjeve në disa llogari kanë zbuluar se bëhet fjalë për 100 milionë euro pagesa nga GEN-I i Sllovenisë.

Ata dyshojnë se këto para janë shpërlarë përmes degëve të kompanisë në Ballkan dhe më pas janë rikthyer në Slloveni sërish nga persona si Berishaj.

Por, pos tjerash, thuhet se një pjesë e parave që i mori Berishaj përfunduan në rrethin e ngushtë të kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti.

Mediumi shkruan se ato para janë përdorur në fushatën e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjithsesi, për këtë ende nuk ka të dhëna.

Të rejat e fundit për rastin e Martin Bershajt dhe Robert Golobit: Bëhet fjalë për “gati 100 milionë euro”

Historia e skandalit dhe reagimet në Kosovë

Media sllovene TV Planet raportoi se një kompani energjetike ballkanike GEN-I, dega në Serbi, i transferonte para kompanisë MB Consulting, pronar i së cilës është Martin Berishaj. Ky i tërhiqte paratë nga xhirollogaritë dhe në kesh ia dorëzonte Golob-it.

Berishaj ishte deklarua vetëm në Facebook atëherë. Pati mohuar se kishte të bënte me shpëlarje parash, por nuk mohoi se është pronar i kompanisë malazeze dhe gjithashtu nuk mohoi pagesat nga kompania e energjisë elektrike GEN-I, dega në Serbi.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes akterëve kryesorë politik, i z. Jansha dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet TV lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit në fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës”, tha Berishaj në Facebook.

Në të kaluarën, para se të futej në politikë, Golob ishte drejtor i kompanisë së njëjtë në Slloveni.

GEN-I është kompania më e madhe në Ballkan për energji elektrike. Ka dyshime që është e përfshirë me elektro-mafian serbe.

Albanian Post më vonë kishte kuptuar se ekzistojnë edhe dy kompani në Kosovë që pronarë kanë Martin Berishajn. Bëhet fjalë për kompanitë “Myloja L.L.C.” dhe “Zaslon Kosova L.L.C”.

Berishaj në këto kompani kishte partnerë sllovenë, edhe ata të dyshuar për dallavere në të kaluarën në Slloveni.

Presidentja e Kosovës një herë, e pyetur nga gazetarët tha se i “besojmë ambasadorit tonë” në pafajësinë e tij.

Më vonë, presidenca lëshoi një komunikatë zyrtare, ku thuhej se e kanë thirrur ambasadorin të vijë në Kosovë dhe të raportojë për këtë rast.

Qysh nga atëherë nuk u kuptua nëse Berishaj kishte ardhur për të raportuar para presidentes, apo jo.

Albanian Post pati realizuar edhe një intervistë me gazetarin slloven, Primoz Cirman. Ai tha se skandalin e fabrikoi Janez Jansha (kryeministri aktual i Sllovenisë), ndërsa Berishaj ishte miku i tij, por atë e sakrifikuan duke e bërë pjesë të skandalit që të përfitonin për vete.

Cirman pohoi se “sipas burimeve tona, baza e këtyre informacioneve është se zotëri Berishaj ishte ndërmjetës për kompaninë GEN-i për tregti në Kosovë dhe Shqipëri. Ishte një ndërmjetës lokal edhe ishte paguar me një shumë, apo komision, varësisht nga sasia që kishte shitur kompania. Pse e përmend këtë kompani tani, sepse kjo kompani udhëhiqej nga Golob që tash është kandidat për kryeministër dhe tani është duke udhëhequr sipas sondazheve dhe duket se ka shanse të mëdha të formojë një koalicion qeveritar dhe Golob të bëhet kryeministër. Ky pra është konteksti”.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, kishte publikuar në llogarinë e tij në Facebook një status, ku thoshte se “duhet të jemi të kujdesshëm ndaj pretendimeve që përveçse janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai mendon njëjtë siç e ka dhënë komentin zëdhënësi i Qeverisë dhe nuk u përgjigj në pyetjen se “a duhet të shkarkohet Berishaj?”.

Portali inFokus publikoi më pas një shkrim, ku tregohej se si Kompania GEN-I me zyrë në Beograd, me të cilën u përfshi emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka marrë miliona euro nga buxheti i shtetit, pikërisht në kohën e kolapsit energjetik.

Partia Demokratike e Kosovës doli me një deklaratë për media ku thanë se kanë ditur diçka rreth këtij skandali, por nuk e besonin se kishte zyrtarë të lartë të Kosovës kaq thellë të përfshirë.

Thanë se kjo është arsyeja përse Lëvizja Vetëvendosje nuk po lejon themelimin e një komisioni që do zbulonte çfarë ka ndodhur me subvencionet e Qeverisë për blerjen e rrymës në kohën e krizës.

Më vonë, komisioni u themelua. Berishaj pas një shtyrje, erdhi në raportim, por gjë s’u morë vesh.

Anëtarët e komisionit e pyeten për shumicën e dyshimeve, por shumica e përgjigjeve veçse ngitnin dyshime të reja.

Si përfundim, Berishaj përfundoi mbledhjen dhe u besua se gjithçka rreth këtij rasti mori fund, derisa ri-filluan lajmet në Slloveni, se po hetohet edhe vetë kryeministri slloven, lërmë Berishaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore